TIRANE- Ati i Shenjtë Papa Françesku, nisi te dielen rreth orës 17.00 kremtimin e lutjes mbrëmësore me Meshtarët, rregulltarët, rregulltaret, seminaristët dhe lëvizjet laikale në Katedralen e Tiranës , pas nje maratone aktivitetesh qe ai zhvilloi sot ne kryeqytetin shqiptar, ku ndodhet me ftese te kryeministrit shqiptar , Edi Rama.
Në këtë ngjarje marrin pjesë rreth 800 meshtarë, motra, rregulltarë dhe rregulltare si dhe përfaqësues të lëvizjeve laikale nga e gjitha trupa kishtare që ndodhet në Shqipëri.
Në hapje të Kremtimit,  Shkëlqesia e Tij Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv Metropolit i Tiranës, tha se këtu, së bashku me Ju, në praninë e Zotit, ngushëllohemi duke e ndjerë veten popull i Hyjit, popull i shikuar me dashuri e i prirë nga Shpirti i të Ngjallurit. Jemi këtu, në praninë Tuaj, praninë e Pasardhësit të Shën Pjetrit, me mendje të hapur e zemër të gatshme për të dëgjuar fjalë ngushëllimi, korrigjimi, drejtimi.
Gjatë Lutjes së Mbrëmësores dëshmuan dhe një meshatr dhe një motër që i kanë mbijetuar periudhës së egër të komunizmit.
Katedralja Katolike e Tiranës u ndërtua në fund të vitit 2001 në Bulevardin Zhan D'Ark dhe është ndër më të rejat Katedrale dhe më e madhja në Tiranë. Emri i saj kujton Apostulin Pal si ungjillizuesin e parë të trojeve shqiptare, në vitin 52 pas Krishtit.
Katedralja Katolike e Tiranës ka një pamje të jashtme mjaft të thjeshtë përveç statujës së Shën Palit e vendosur në çati, por në ambjentet e brendshme ka një arkitekturë mjaft mbresëlënëse dhe konkrete. Në brendësi të saj ndodhet monumenti i Nënë Terezës dhe i Gjon Palit të dytë./ATSH/