“Njëriu fluturues”, rekordmeni i garave të vrapimit Usain Bolt, ka postuar në profilin e tij Twitter, një video nga Lojërat Olimpike Speciale Botërore zhvilluar në Emiratet e Bashkuara Arabe , ku atleti me aftësi të kufizuara, xhamaikani 17 vjeçar Kirk Wint garon në finalen e 50 metrave, duke “vrapuar” këmbadoras.
“Respekt im maksimal i shkon të gjithë atletëve të Olimpiadës Speciale"- shkruan ish sprinteri, duke shtuar gjithashtu: "Gjithçka është e mundur" dhe “Mos mendoni për limite”.
7.000 atletë me aftësi të kushtëzuara së bashku me familjarët e tyre, të ardhur nga 170 vende të botës, që prej 15 marsit kanë nisur konkurimin në 22 lloje sporti në Lojërat Olimpike Speciale Botërore, duke shënuar fillimin e shtatë ditëve sportive, përpjekjeve njerëzore dhe unitetit. /Përgatiti Ilir Çuçi