Në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë, mbrëmjen e djeshme u zhvillua një spektakël i paharrueshëm kushtuar muzikës qytetare vlonjate, me titullin domethënës “Aty ku nisi kënga.”

Skena e teatrit mblodhi bashkë emrat më të njohur të muzikës qytetare dhe moderne vlonjate, mes tyre Kleopatra Doke, Aurela Gaçe, Maja, Marjola, Jurgen Kaçani, Enkeleda Hysni, Alush Hyseni, Poni, Viktor Tahiraj etj., në një mbrëmje ku emocionet, kujtimet dhe muzika u ndërthurën në mënyrë të veçantë.

Eventi u organizua nga Këshilli i Qarkut Vlorë, nën kujdesin e kryetarit Ervis Moçka, i cili pas shfaqjes u shpreh se ky spektakël solli për vlonjatët këngët më të bukura dhe më të vjetra qytetare, duke rikthyer emocionet që i kishin munguar qytetit.

“Vlorës i sollëm zërat dhe meloditë e saj më të dashura. Entuziazmi i publikut tregoi se kjo mbrëmje i kishte munguar artdashësve vlonjatë”, u shpreh Moçka.

Ndërsa për artistët, rikthimi në këtë skenë kishte një domethënie të veçantë.

“Pas 60 vitesh rikthehem në këtë skenë ku kam kënduar për herë të parë në moshën 16-vjeçare. Publiku vlonjat më bëri të ndihem njësoj si atëherë. Më kishte marrë malli për këtë emocion”, tha Kleopatra Doke.

Edhe Aurela Gaçe kujtoi me mall fillimet e saj artistike.

“Kam qenë vetëm 4 vjeçe e gjysmë kur kam hyrë për herë të parë në këtë skenë. Sot, më rikthyen të gjitha kujtimet. Ndihem shumë e lumtur dhe krenare për këtë qytet”, u shpreh artistja.

Emocione të forta ndau edhe këngëtarja Maja, e cila tha se ishte një pritje e jashtëzakonshme nga publiku vlonjat.

“Një spektakël i mrekullueshëm dhe një pritje e jashtëzakonshme nga publiku vlonjat. Jam shumë e lumtur që isha sërish në Vlorë, për vlonjatët”, tha Maya.

Mbrëmja “Aty ku nisi kënga” ishte një udhëtim i bukur muzikor mes kujtimeve dhe emocioneve, një homazh për trashëgiminë muzikore të Vlorës dhe për artistët që e mbajnë ende gjallë shpirtin e saj qytetar.