Në kohën kur pritet konstituimi i shpejtë i Kuvendit dhe themelimi i qeverisë Kurti 3, kureshtja më e madhe është se si do të sillet opozita pas disfatës tronditëse që e pësoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Se në çfarë niveli kanë rënë dy partitë kryesore opozitare, PDK dhe LDK, dëshmon beteja e madhe që u bë rreth një vendi në Kuvendin e Kosovës  dhe “arritja e deputetit të 15-të për LDK-në”. E LDK-ja në fushatë sillej sikur pret së paku 50 për qind të votave e jo si një parti e cila mezi arriti 13 për qind. As PDK-ja nuk mund të pretendojë ndonjë sukses, edhe pse e ruajti pozitën e dytë. Kur tri parti opozitare së bashku marrin 13 për qind më pak se Vetëvendosja, nuk ka aspak më hapësirë që të kërkojnë arsyetim diku tjetër pos në radhët e veta.  Më së paku kanë arsye ta fajësojnë diasporën. Kur LDK-ja humb me 20 për qind edhe në Istog nuk i ka faj Shtutgarti e as Zurihu.

Se si do të veprojnë partitë opozitare nuk mund të parashikohet, sepse më nuk dihet se kush dhe kur do të vendosë në emër të tyre. Gjasat janë që ndryshime të ketë edhe në krye të LDK-së, por edhe në PDK. Nëse nuk do të ndodhin ndryshime dhe atë shumë, shumë shpejt, kjo nuk do të jetë shenjë e mirë për demokracinë e brendshme në këto parti. Dhe në kushtet e tilla nuk mund të dihet se si do të veprojnë LDK-ja dhe PDK-ja rreth zgjedhjes së presidentes apo presidentit. 

Në njërën anë do të ishte e papërgjegjshme nëse dalin nga salla e Kuvendit dhe shkaktojnë edhe një palë zgjedhje të jashtëzakonshme. Por as fituesi i zgjedhjeve, VV-ja, nuk duhet të jetë tepër e sigurt se opozita nuk do të ketë guxim ta bëjë këtë, sepse do të humbte me dallim edhe më të madh në zgjedhjet e reja. Nuk bën të llogarisësh këtë, pasi sidomos LDK-ja është e tronditur rëndë dhe në gjendje të tillë mund të mendojë se më keq nuk ka ku shkon dhe të mos u frikësohet as zgjedhjeve të reja. Për këtë parti nuk ka shumë dallim a do të ketë 15 apo 10 ulëse në Kuvend.

Nuk është Kosova “sui generis” vetëm për shkak të mënyrës se e arriti pavarësinë. Ajo është rast i veçantë edhe për faktin se as me mbi 50 për qind të votave fituesi i zgjedhjeve nuk e ka të sigurt krijimin e qeverisë. Madje, edhe në këtë moment sikur të bashkoheshin të gjitha partitë që kaluan pragun, dhe të gjithë deputetët e komuniteteve joshumicë, ata mund ta sigurojnë shumicën e VV-ja të mbetet në opozitë. Kjo matematikisht është e mundur. Fenomen tjetër është paradoksi i krijuar me Kushtetutë rreth zgjedhjes së presidentit. Në njërën anë Kuvendi zgjedh presidentin, që nënkupton pazare politike, e në anën tjetër, kërkohet që kreu i shtetit të jetë unifikues. Këto dy gjëra nuk shkojnë me njëra-tjetrën. Për rolin që ka kreu i shtetit në Kosovë vetëm zgjedhja me votimi gjithëpopullor do të ishte zgjidhje e duhur.

Opozita, siç dëshmon rezultati, nuk ka arritur të bindë numër të duhur të qytetarëve t’i besojnë asaj udhëheqjen e vendit. Me këtë duhet të merren. Do të gjejnë shumë fusha në politikën e  brendshme, në mënyrën e komunikimit me qytetarët, ku kanë dështuar. Por një fushë ku duket se e kanë huqur është edhe qasja ndaj bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare. Ndonëse kanë pasur të drejtë kur e kanë kritikuar Qeverinë se i ka prishur në një masë raportet me partnerët tradicionalë për çka Kosova ka pësuar dëme, opozita nuk ka ofruar asnjë alternativë të asaj që e ka bërë Qeveria, e që ka shkaktuar këto konfrontime.

Kanë gabuar duke pritur se kritikat nga miqtë ndërkombëtarë ndaj Qeverisë Kurti do t’ia dhurojnë fitoren opozitës. Kanë gabuar kur kanë menduar se mund të përfitojnë nga masat e BE-së kundër Kosovës në vend që për to t’i akuzojnë ata që duhet akuzuar, e kjo ishte BE-ja.  Kanë gabuar kur kanë kritikuar Qeverinë për konfrontim me bashkësinë ndërkombëtare pa bërë të qartë se çfarë qëndrimi kanë ata për kërkesat ndërkombëtare që Qeveria nuk i përfilli. Thjesht, opozita ka zgjedhur beteja të gabuara dhe i ka humbur ato.

Kur shumica e madhe e vendeve të BE-së dhe  Parlamenti Evropian janë shprehur qartë se masat ndaj Kosovës janë të padrejta, duke e fajësuar Komisionin Evropian për qasje të pabalancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë edhe opozita do të dukej më serioze sikur për masat ta kishte kritikuar BE-në e jo Qeverinë. Ka pasur tema tjerra për të cilat ka mundur ta kritikojë Qeverinë. Tash pas zgjedhjeve nga disa pjesëtarë të opozitës dëgjohen edhe vlerësime se heqja e masave në prag të zgjedhjeve i ka ndihmuar VV-së.

Së pari masat akoma nuk janë hequr. Janë hequr vetëm ato për projektet në vlerë 34 milionë euro, para të cilat do të humbnin sikur të mos ishin hequr në atë moment. Për një pjesë tjetër të masave është vendosur që të hiqen ndërsa për pjesën tjetër është paralajmëruar se do të hiqen në “pjesën e hershme të vitit”. Pra, jotransparenca dhe manipulimi me masat nga BE-ja vazhdojnë dhe në këtë moment dhe qartësi të plotë rreth tyre nuk do të ketë derisa të mos hiqen në tërësi.

Me përjashtim të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, asnjë lider opozitar nuk ka dhënë përgjigje të prerë se si do të vepronte me draftin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përfaqësues të LDK-së dhe PDK-së janë sjellë sikur të ishin më shumë analistë sesa politikanë me përgjegjësi. Kanë dhënë më shumë komente dhe vlerësime për këtë draft sesa përgjigje në pyetjen se si do të vepronin ata. Haradinaj së paku është shprehur se për të hapur rrugë integrimit në NATO dhe BE, ai do ta dërgonte draftin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Asnjë vlerë nuk kanë pasur, nuk kanë e as nuk do të kenë, kritikat për konfrontim me bashkësinë ndërkombëtare, pa shprehjen e qëndrimit të qartë se çfarë mendojnë për Asociacionin, dialogun dhe për strukturat e Serbisë në veri. Sepse vetëm këto pika ishin tema për të cilat Qeveria e Kosovës vendosi të konfrontohet me bashkësinë ndërkombëtare. Ka pasur kritika ndaj VV-së nga BE-ja dhe vendet e tjera edhe për sulme ndaj mediave, edhe për presion ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë, por ato nuk kanë qenë arsyet e vendosjes së masave kundër Kosovës.

Edhe e tillë çfarë është, e deklasuar në zgjedhje, Kosova ka nevojë për këtë opozitë. Sepse para Kosovës janë sfida të cilat nuk mund t’i kalojë vetëm Qeveria, edhe kur ajo i ka mbi 50 për qind të votave dhe nuk mund më ta fajësojë për dështim as ajo askënd pos veten. Kosova duhet ta ndërtojë një konsensus të brendshëm për raportet me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe me Serbinë. Edhe partnerët edhe kundërshtarët do ta marrin më seriozisht Kosovën kur të ketë një qëndrim unik rreth çështjeve të interesit strategjik shtetërorë. Përgjegjësia për të ndërtuar një konsensus të tillë para së gjithash i takon fituesit të zgjedhjeve, por as opozita nuk bën tash të vetizolohet. Edhe LDK-ja edhe PDK-ja janë pjesë e familjeve politike me ndikim në BE.

LDK-ja është pjesë e grupimit më të madh në Evropë, Partisë Popullore Evropiane (EPP). PDK-ja nga ana tjetër është pjesë e grupimit liberal. Me VV-në të lidhur me grupimin socialist dhe demokrat, këto tri parti mund të bëjnë shumë  në favor të Kosovës edhe përmes këtyre grupimeve. Partitë serioze nga shtetet serioze konfliktet ndërpartiake i ruajnë për në shtëpi, ndërsa jashtë mbrojnë interesin e vendit, pa marrë parasysh se a janë në opozitë apo në qeveri.

Në këtë pikë partitë nga Kosova nuk duhet ta ndjekin shembullin e dy partive nga Shqipëria të cilat forumet ndërkombëtare i përdorin për t’i sulmuar kundërshtarët politikë në shtëpi, qoftë edhe kur një gjë e tillë shkon në dëm të shtetit dhe qytetarëve. VV-ja si fituese e madhe e këtyre zgjedhjeve duhet t’u ofrojë bashkëpunim, edhe pse nuk ka nevojë për koalicion, partive e tjera për qasjen ndaj sfidave ndërkombëtare. Sepse një bashkëpunim i tillë do t’i shërbente shtetit. E do të mbeten mjaft tema të brendshme ku opozita dhe mazhoranca do të mund të konfrontohen./Koha