Pak ditë më parë, në Adelaide, në Australi, një 20-vjeçare shqiptare është gjetur e vrarë me thikë në makinë, pak metra larg shtëpisë dhe i dyshuari kryesor për vrasjen e saj është babai, Petrit Lekaj.

20 vjeçarja me emrin Sabrina Lekaj, studente e mjekësisë dhe një pianiste shumë e talentuar, u gjet e vrarë në sedilen e përparme të makinës “Mercedes-Benz” dhe bashkë me të u gjet edhe babai i saj Petrit Lekaj, i plagosur në stomak pasi kishte tentuar të vetëvritej. Ai u transportua në spital dhe të martën policia e akuzoi atë për vrasjen e vajzës së tij.

Petrit Lekaj, 49 vjeç, u detyrua të përballet me një seancë dëgjimore pranë një gjykate në Port Adelaide të premten, i akuzuar për vrasjen e vajzës së tij Sabrina Lekaj.

Avokati i Petrit Lekaj i tha gjykatës se mund të kërkojë dorëzani brenda disa javësh, varësisht nga rikuperimi i Petrit Lekaj, i plagosur  me armë zjarri.

Lekaj u “paraqit” në gjykatë nëpërmjet telefonit nga krevati i tij në Spitalin Mbretëror Adelaide, ku ai mbahet nën vëzhgimin e rreptë të forcave të policisë.

Petrit Lekaj do të mbetet në paraburgim deri në paraqitjen e tij të ardhshme në gjykatë.

Sipas “Adelaide Advertiser”, Lekaj ka thënë se "Në javët e ardhshme, mund të ketë një kërkesë për liri me kusht”

Deri në momentet e para, nuk diheshin shkaqet që e kishin shtyrë babain e vajzës të ndërmerrte një veprim të tillë.

Pas hetimeve të thelluara nga ana e policisë, duket se misteri i vrasjes së studentes po trajtëzohet.

Policia ka marrë në shqyrtim shumë prej mesazheve telefonik që Sabrina kishte shkëmbyer me miqtë e saj.

Në mesazhet e dërguara, Sabrina ankohej se kishte marrëdhënie të vështira me prindërit e saj të cilët e akuzonin si k****

Sipas “Daily Mail Australia”  studentja nga Shqipëria kishte një marrëdhënie të tensionuar me prindërit e saj.

Sabrina Lekaj, 20 vjeçe, kishte dërguar disa mesazhe me tekst për miqtë e saj më të afërt ku përshkruante jetën brenda katër mureve të shtëpisë në Adelaide, ku jetonte me prindërit e saj Petrit dhe Romina Lekaj.

Sabina iu shkruante miqve të saj për marrëdhënien shpesh të paqëndrueshme me prindërit e saj dhe se nuk donte të jetonte më nën një çati me ta.

Copëza nga mesazhet

Sabrina: "Unë vetëm qaja ...Isha vërtet e zemëruar ... sepse nëna ime gjithmonë më thërret k****

Mikja: "Oh, mirë, ti je një vajzë e bukur, mos dëgjon askënd”

Sabrina: "Faleminderit. Opinioni juaj ka shumë rëndësi për mua. Unë dua të studioj, por dua të sigurohem që të kem para”.

Miqtë e vajzës së vrarë kanë dëshmuar se nuk i kishin takuar kurrë prindërit e shoqes së tyre dhe se nuk kishin shkuar kurrë në shtëpinë e saj për të fjetur.

Ata pohuan gjithashtu se Sabrinës i ishte ndaluar të kishte një të dashur apo të fliste në telefon natën kur ajo duhej të studionte.

Një prej mikeshave të studentes së vrarë tha për “Daily Mail Australia” se babai i Sabrinës grindej shpesh me vajzën e tij edhe për gjëra të vogla. Ai donte thjesht të kontrollonte jetën e saj.

Familja Lekaj kishte emigruar në Australi nga Shqipëria dhe çifti punonin si promotor imobiliar. Ata kishin shitur kohët e fundit banesën e tyre me tre dhoma gjumi për 590,000 dollarë.