AUSTRI- Shefi i diplomacisë shqiptare nga konferenca në kuadër të kryesisë austriake të Nismës së Evropës Qendrore në Vjenë është shprehur se, “Në konditat aktuale, zgjerimi i BE-së është një projekt i një rëndësie gjeopolitike”. Bushati ka shtuar po ashtu se “rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është ende një rajon i mirëfilltë nga pikëpamja ekonomike, sidomos për sa i përket inter-konjeksioneve energjetike dhe infrastrukturore”.
 
Sipas ministrit të Jashtëm shqiptar “ka ardhur koha kur të gjitha vendet e rajonit e ndjejnë nevojën e krijimit dhe konsolidimit të një tregu rajonal”.
 
Pjesëmarrësit në konferencë u shprehën mbi dimensionin strategjik të proceseve integruese në Ballkanin Perëndimor, si dhe mbi rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, në fund të muajit qershor.
 
Ndërsa dhanë po ashtu mesazhe të qarta mbështetjeje për hapat integruese të rajonit të Ballkanit perëndimor, pjesëmarrësit vlerësuan artikulimin e projektit politik të zgjerimit të BE-së, si një projekt zhvillimi ekonomik me dimension rajonal, përpjekjet për me shumë shtet të së drejtës dhe më pak korrupsion, sundimin e së drejtës në ekonomi dhe forcimin e kapaciteteve administrative të vendeve të rajonit.
 
Në këtë konferencë të organizuar për herë të parë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë në kuadër të Nismës së Evropës Qendrore, ishin të pranishëm Komisioneri për zgjerimin dhe partneritetin lindor z. Fule, Ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Italisë, z. Venizelos dhe znj. Mogherini, në emër të presidencës aktuale dhe të ardhshme të Këshillit të Bashkimit Evropian, Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit, ata të grupit të Vishegradit, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)