TAKIMI ME MINISTRIN E PUNES, RUDOLF HUNDSDORFER
Në një takim me Ministrin e Punës Çështjeve Sociale dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Rudolf Hundsdorfer, Rama e ka njohur atë programin e PS-së për një Rilindje Shqiptare. Të dy bashkëbiseduesit u përqendruan në mundësinë e bashkëpunimit pas 23 qershorit të shkëmbyer praktikat më të mira në implementimin e programeve efektive të nxitjes së punësimit duke marrë si shembull ndihmën që Austria i ka dhënë Bullgarisë në këtë fushë.
RAMA ME SCHIEDER, SEKRETAR I SHTETIT NE MINISTRINE FEDERALE TE FINANCAVE
Një takim tjetër, Rama ka zhvilluar me Andreas Schieder, Sekretar i Shtetit në Ministrinë Federale të Financave. Pas takimit z. Schieder dha këtë mesazh: “Unë mendoj se është një program i mirë, kur thuhet se Shqipëria ka nevojë për një Rilindje, një riforcim, konkretisht në kuptimin pozitiv të një shoqërie sociale. Në këtë kuptim unë e mbështes Edi Ramën dhe të majtën progresiste shqiptare. Shpresoj që koalicioni i majtë të arrijë të fitojë shumicën, sepse në këtë mënyrë mund të forcohet miqësia që na lidh prej vitesh me Shqipërinë. Unë personalisht kam miqësi më Edi Ramën, por dhe me shumë politikanë të së majtës social-demokratike progresiste të Shqipërisë. Kështu do të kemi mundësi të bashkëpunojmë, të zhvillojmë shumë projekte të përbashkëta të qeverisë austriake dhe asaj shqiptare, të zhvillojmë ide, sesi mund të përmirësohet ekonomia shqiptare, sesi mund të integrohet rajoni, sesi mund të përmirësohet tregu i punës, si mund të përmirësohen kushtet dhe klima e investimeve, për të rritur në të ardhmen numrin e tyre, sesi Shqipëria, por dhe krejt rajoni mund të përfitojnë prej saj. Por më e rëndësishme është sipas mendimit tim, fakti që ne duam të bëjmë politikë për njerëzit, edhe për njerëzit në Shqipëri, në favor të tyre, pra kjo politikë duhet të japë rezultate për qytetarët në Shqipëri, të ketë vende pune, të ketë një shpërndarje të drejtë, por dhe një sistem taksash që vlerëson punën e gjithsecilit, por dhe që bën të mundur një shpërndarje të drejtë për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Në këtë kuptim i uroj Edi Ramës dhe miqve tanë në Shqipëri shumë suksese për zgjedhjet e muajit qershor dhe pres me gëzim muajin korrik dhe qeverinë e re shqiptare.”
KREU I PS NE AKADEMINE DIPLOMATIKE TE VJENES
Një dialog është zhvilluar në Akademinë Diplomatike në Vjenë, në të cilën Rama ka bashkëbiseduar duke iu përgjigjur interesit të lartë të diplomatëve, Kryetari i PS është shprehur se procesi i ribashkimit me Europën është jo vetëm shkrim dhe miratim ligjesh në letër, jo thjesht një proces burokratik, por mbi të gjitha është implementim, zbatim i ligjeve të hartuara. Çka është shqetësuese dhe që qeveria e re e pas 23 qershorit do ta përballë me vendosmëri është edukimi në standardet evropiane i të rinjve në mënyrë që gjenerata e re e nesërme e Shqipërisë të ketë qytetarë të denjë të Europës.
“Për sa i përket qeverisë, qeveria ka premtuar parajsën për shqiptarët dhe sot shqiptarët gjenden në një situatë që ekonomikisht është më e keqe se sa më parë, për shkak se fuqia blerëse e shqiptarëve sot ka rënë dhe me të njëjtën sasi parash blejnë më pak se më parë", - tha kryetari i opozitës në fjalën e tij. - "Nga pikëpamja sociale është më keq sepse liritë dhe të drejtat janë tkurrur, mundësitë pjesëmarrjes në jetën shoqërore janë zvogëluar dhe sigurisht edhe mundësitë për t’u integruar në shoqëri janë shumë të pakta. Nga pikëpamja e institucioneve është më keq, sepse sot gjykatat janë shumë më të kontrolluara politikisht, shërbimet janë shumë më të dobëta dhe shteti është praktikisht shumë më i politizuar se sa ç’ishte”, është shprehur kreu i PS-së lidhur me dështimin e qeverisë në këto 8 vite".
Kreu i PS është shprehur edhe për dallimin thelbësor që ekziston mes tij dhe kryeministrit aktual. “Për sa u përket dallimeve mes meje dhe Saliut, nuk po përmend shumë, por po them vetëm një fakt. Saliu kishte 13 vjet për të treguar se mund të bënte diçka mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, gjë që realiteti shqiptar nuk e provon. Unë kisha mundësinë të tregoja se mund ta transformoja Tiranën nga një pazar oriental në një qytet europian dhe kjo ka ndodhur”, ka theksuar Rama.
I pyetur për vizionin e PS lidhur me çështjen kombëtare dhe marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri pas 23 qershorit, kryesocialisti Rama nënvizoi se realisht bashkimi ka ndodhur, pasi sot kemi një kufi që nuk na pengon të bëjmë çfarë të duam bashkë. Sipas Ramës vërtet jemi dy shtete dhe dy qeveri, por kjo nuk na pengon që të hartojmë dhe të zbatojmë një plan strategjik zhvillimi kombëtar të përbashkët".
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)