VJENE- Avioni me të cilën udhëtonte presidenti i Bolivisë, Evo Morales, ka lënë aeroportin e Vjenës.
 
Pilotët e avionit ishin të detyruar të bënin një ulje në aeroportin austriak pasi Italia, Portugalia dhe Franca i kishin ndaluar hyrjen në hapësirën e tyre ajrore për shkak të dyshimeve se spiuni i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, ndodhej në bordin e saj.
 
Zyrtarët në kryeqytetin austriak thanë se Snowden nuk ishte në aeroplan, me të cilin presidenti Morales udhëtonte nga një samit në Rusi, ku ai kishte sugjeruar se qeveria e tij ishte e gatshme për ta shqyrtuar dhënien e azilit për të.
 
Ministri i Jashtëm bolivian mohoi që Snowden të kishte qenë në aeroplan,dhe shtoi se do të denoncojmë te komuniteti ndërkombëtar këtë padrejtësi që i është bërë presidentit Evo Morales.
Kjo nuk është vetëm një ofendim kundër presidentit, por edhe kundër vendit dhe tërë rajonit të Amerikës Latine," është shprehur presidenti Morales pak para nisjes nga aeroporti i Vjenës.
 
Evo Morales kthehej nga Moska ku ish-analisti i NSA-s është mbyllur në një zonë tranziti të aeroportit, prej më shumë se 1 jave.
 
Ndërkohë mundësitë e Edward Snowden-it për të siguruar azil politik sa vijnë e tkurren pasi numri i vendeve që e refuzojnë kërkesën e tij po rritet duke thënë se aplikanti duhet të ndodhet në tokën e tyre, në mënyrë që të ketë një pretendim të tillë.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)