Shqipëria po përpiqet të luajë rol të moderuar në rajon në marrjen e vendimeve dhe negociatave të ndryshme që bëhen, të njëtën gjë përpiqen të bëjnë edhe vendet e tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit”, tha Fischer në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit. Ndërsa presidenti Bujar Nishani, mes të tjerash e konsideroi reformën në drejtësi si tejet të rëndësishme për integrimin. “E sigurova presidentin se biznesi austriak do vazhdojë të gjejë një ambient miqësor dhe se qeveria do të jetë krah tij nëpërmjet politikave letësuese, reformë në administratë etj.
Vura në dukje dhe gjeta mirëkuptim se marrja e statusit këtë qershor është ndalesa e radhës në itinerarin e saj europian. Është stimul inkurajues për të ardhmen. Shpreha vendosmërinë tonë për të vazhduar reformat në përgjithësi, me fokus të veçantë reformin e plotë të drejtësisë nëpërmjet një procesi transparent e duke e ruajtur nga ndikimet politike dhe grupeve të interesit”, tha kreu i Shtetit, duke deklaruar se është i vendosur për këtë.
Takimi me Ramën
Edhe kryeministri Edi Rama u takua me Presidentin Austriak Heinz Fischer. Ai i shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe kontributin e kahershëm që Austria i ka dhënë e vazhdon t’i japë Shqipërisë. Rama nënvizoi se Shqipëria e konsideron të veçantë lidhjen me Austrinë e qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar në avancimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Shqipëria ka shumë për të përfituar nga përvoja austriake, sidomos në fushën e dijes”, tha Rama. Në takim u vlerësua se kontaktet e shpeshta mes dy vendeve kanë shërbyer si dhe për të ridimensionuar fushat e mbështetjes dhe të asistencës austriake, me theks prioritar, modernizimin e sistemit arsimor dhe atë shëndetësor. Presidenti Fischer vlerësoi se Shqipëria ka arritur shumë në rrugën e saj të integrimit, ka përmbushur kriteret dhe se e meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Takimi me Metën
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta me Presidentin e Austrisë Heinz Fischer vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Austrisë, miqësinë tradicionale mes dy popujve dhe bashkëpunimin e ngushtë në gjithë fushat. Meta tha se kjo vizitë e rëndësishme në Tiranë konfirmon vëmendjen e vazhdueshme që Austria i kushton Shqipërisë, duke i shërbyer thellimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimit të perspektivës evropiane të Shqipërisë. Ai shprehu vlerësimin e veçantë për mbështetjen e pakursyer të Austrisë në procesin e integrimit evropian të vendit tonë.
Nga ana e tij Fischer, pasi vlerësoi zhvillimet dhe progresin e Shqipërisë në vite u shpreh se Austria s’ka asnjë dyshim në përkrahjen që ajo i ofron integrimit evropian të Shqipërisë duke theksuar se mund të mbështetet te Austria si në planin evropian, ashtu dhe në drejtim të bashkëpunimit ekonomik.
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)