Qeveria austriake e kryeministrit konservator Sebastian Kurz, aleat i ekstremit të djathtë, FPO, njoftoi ditën e sotme se po përgatiste një ligj me vlerë simbolike për të ndaluar mbajtjen e burkës për fëmijët në kopshte dhe shkollën fillore.

“Projektligji do të finalizohet para verës”, theksoi ministri i Arsimit, Heinz Fasmann gjatë një mbledhjeje të qeverisë duke theksuar se shikonte në këtë iniciativë një “masë simbolike”.

Ideja për të ndaluar burkën në këto nivele arsimore u përmend këtë fundjavë nga zëvendëskancelari dhe drejtuesi i FPO-së, Heinz-Christian Strache, në emër të politikës së integrimit.

“Ne dëshirojmë që të gjitha vajzat të kenë të njëjtat mundësi në Austri”, theksoi Sebastian Kurz, duke u shprehur se dëshironte shmangien e formimit të shoqërive paralele.