"Autizmi, i bëj vetë terapi djalit,
s'kam lekë të paguaj specialistë"

TIRANE- Blendi është diagnostikuar se vuan nga autizmi që në moshën tre-vjeçare, kohë në të cilën prindërit e tij dëgjuan për herë të parë për autizmin. Që atëherë, gjithçka në këtë familje, i është përkushtuar mësimit sa më shumë mbi sëmundjen e të birit, me qëllim për ta ndihmuar të shërohet. Në një rrëfim për "Shqiptarja.com", e ëma e Blendit (e cila nuk pranon të identifikohet me emër, për shkak të ndikimeve që mund të ketë kjo tek i biri), na tregon se ajo ka lënë punën për t'u bërë terapistja personale e djalit të saj, si ia del ta mbajë nën kontroll të birin dhe marrëdhëniet e tij me mësuesen dhe shokët e klasës së dytë tek shkolla "Mihal Grameno".

Si e kuptuat që fëmija juaj ishte autik?
Në fillim ai nuk fliste dhe unë nuk isha shumë e shqetësuar. Nga mosha 2 vjeç e gjysëm, filloi të nxirrte ndonjë fjalë në të rrallë. Unë sikur u qetësova disi, por më pas takova një shoqe fëmija i së cilës kishte të njëjtin problem. Për herë të parë nga ajo dëgjova për autizmin dhe më pas ajo më sugjeroi ta çoja te ndonjë specialist.

Po pas kësaj çfarë bëre? Ku e çove djalin?
Fillimisht lamë takim me një neuropsikiatre. E cila pasi i bëri disa teste më tha që djali ka elementë autizmi hiperaktiv. Ajo më sugjeroi, përveç terapisë, që djalin duhet ta çoja në kopësht dhe në shkollë. Ajo ma ngrohu zemrën, pasi sipas saj, nëse merrrte trajtimin e duhur fëmija im do të kishte mundësi të ishte si gjithë të tjerët. Më pas e kam cuar te qendra e Kombinatit, ku trajtohen edhe fëmijë të tjerë autikë. Pas testimeve që i bënë djalit tim në këtë qendër, rezultoi se mosha e zhvillimit mendor të tij ishte vetëm 1 vjeç e gjysëm, ndrësa në të vërtetë ai ishte tre vjeç. Kam punuar shumë vetë me të me teste speciale që i merrja nga këto qendrat

Po në shtëpi çfarë shenjash shfaqte?
Vetëm pasi mësova se ai ishte autik, fillova të mendoj sesi ishte sjellë ai deri tani. Përshembull kur donte ujë nuk thoshte vetëm një herë ujë, por thoshte tri herë: ujë, ujë, ujë. Ndërsa kur ishte më i vogël dhe nuk fliste fare, me kapte nga dora dhe më dërgonte të merja atë që donte.

Po në kopësht e ke dërguar, apo e ke mbajtur vetë në shtëpi?
Kam tentuar ta çoj në kopësht por në fillim nuk ma mbanin. Si shteti ynë aman që është përtokë fare. Kur nuk meret me fëmijët që kanë probleme mendo më për të tjerët.

Cila ishte arsyeja që nuk e pranonin në kopësht?
Sepse ishte shumë i levizshëm. Nuk donin siklete. Më pas dëgjova për një qendër tjetër që ishte pas minibashkisë numër 8 dhe e ata ma kanë mbajtur për disa kohë. Këtu madje ai është përmirësuar ndjeshëm dhe më pas e dërgova në kopësht publik. Më pas e futa në parashkollor, por aty qëndroi vetëm pak. Më pas e futa në klasë të parë. Megjithëse kishte shumë mangësi, pas shumë përpjekjesh arriti të mësonte të shkruante dhe të lexonte.

Aktualisht djali yt tani është në klasën e dytë të shkolla "Mihal Grameno", si po përshtatet? A ka probleme?
Përgjithësisht ka ecur mirë. Mësuesja është shumë e mirë dhe i kushton shumë kohë. Po ashtu edhe shokët e klasës. E duan të gjithë dhe përpiqen ta ndihmojnë. Sigurisht që mësuesja nuk e ka të lehtë me të, por ajo ëhstë shumë e durueshme. Takohem shumë shpesh me të dhe mundohemi t'i zgjidhim sëbashku problemet.

Çfarë problemi shfaq më shumë në klasë?
Ai ka problemet e veta, nuk arrin t'i ndjekë fëmijët e tjerë. Nuk shprehet shumë, nuk di të bëjë veprime matematikore, flet shkurt, nuk bashkëbisedon shumë, por ka shumë më të mirë kujtesën vizive. Madje herë pas herë më duket se ndonjë fëmijë i huaj që sapo ka nisur të mësojë shqipen...

Ju keni edhe një djalë tjetër, a ka ai probleme të kësaj natyre dhe si sillet Blendi me të?
Po po kam dhe një djalë por ai si ka fare këto probleme. Por duhet t'i rri te koka pasi djali i madh bëhet shumë nevrik.

Përse nuk e keni dërguar në një shkollë speciale, apo të merrni një mësues special?
Unë e kam sjellë në shkollë publike pasi mendoj se ai ka nevojë për fëmijë ndyrshe. Çfarë do marri ai nga një fëmijë me të njëjtin nivel, apo në nivel më të ulët se ai? Ndërsa sa i përket një mësuesi special ne nuk kemi para ta paguajmë se ata kërkojnë 10 mijë lekë (të vjetra). Unë kam lënë punën që t'i rri nga pas.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen