“Kur morëm kthesën nuk e kontrolloi dot shoferi timonin dhe u rrokollisëm katër herë, ramë në një gropë. Kemi përjetuar momente të vështira, frikë, u tmerruam, u shokuam. Në mikrobus ishin rreth 26 nxënës të një shkolle”, tregoi nxënësja e plagosur për Report Tv.
Intervista me nxënësen e plagosur
Si ndodhi aksidenti?
Kur morëm kthesën nuk e kontrolloi dot shoferi timonin dhe u rrokollisëm katër herë, ramë në një gropë, pastaj dolëm lart na nxorën të tërëve, ikëm në spital.
Si e përjetuat çastin?
U tmerruam, u shokuam të tërë.
Kush erdhi?
Erdhi policia dhe ambulanca në fillim. Na ndihmuan shoferët, ai i autobusit dhe të tjerë, njerëz.
Sa nxënës ishin?
26, edhe nga 9-vjeçarja edhe në gjimnaz. 4 nxënës në fillore, 22 në shkollën e mesme. Shoferi i autobusit humbi kontrollin dhe ra në gropë.
Pse sa vitesh udhëtonit me këtë mjet?
Unë prej 2 vitesh.
Si i kryenit pagesat?
Muaj për muaj, më datë 25.
Merrte dhe plus, jashtë vendeve?
Kishte nja dy-tre veta.
A kishte rripa sigurimi dhe a i vendosnit?
Jo, nuk ka pasur, nuk e dimë pse.
Ishte autobus i vjetër?
Shumë i vjetër nuk ishte.
Shërbimin në spital e keni në kohë?
Po, e kemi pasur gjithmonë në kohë.
Çfarë mbani mend nga aksidenti, ishte ndonjë mjet tjetër që ju preu rrugën?
Jo, humbi kontrollin e mjetit.
Në çfarë sedilje ishit ulur?
Në sedijen e parë.
A ka automjet tjetër që operon në këtë linjë?
Jo, nuk ka.
Si veproi shoferi kur ra mjeti?
Si do vepronte, ra
A ka pasur panik brenda autobusit?
Kishte shumë, bërtisnin.
Kush ju dha ndihmën e parë?
Ambulanca
Dolët vetë nga autobusi?
Dolëm vetë, të tërë.
Sa u vonua autoambulanca?
Erdhi pas 5 minutash.
Kush e njoftoi policinë, spitalin?
Disa njerëz, që ishin pas nesh.
Kush u lëndua më shumë?
Shoqja ime, në sedilje me mua. Kishte dhe të tjerë, por jo sa ajo.
Ngjarja
Nxënësit udhëtonin çdo ditë nga fshati Vërzhezhë drejt qytetit të Çorovodës, pasi në fshat nuk ka shkollë të mesme. Disa prej tyre kanë pësuar lëndime dhe fraktura, ndërsa një vajzë u soll dje me helikopter në Tiranë për mjekim më të specializuar, pasi ndodhej në gjendje të rëndë.
Pas aksidentit, policia ka arrestuar shoferin e autobusit, shtetasin Astrit Hysi, 52 vjeç, banues në fshatin Vërzhezhë. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djeshme, ku autobusi po transportonte nxënësit e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme nga fshatrat Buzuq dhe Orizaj për në shkollën e Çorovodës, teksa u aksidentua në fshatin Vërzhezhë, duke rënë nga rreth 20 metra në greminë, por fatmirësisht të gjithë nxënësit dhe shoferi kanë shpëtuar.
Autobusi ka qenë me shpejtësi dhe në momentin që shoferi ka tentuar të frenojë në një kthesë të fortë në një terren shumë të vështirë ka përfunduar në greminë. Autobusi pas disa rrotullimeve ka përfunduar në humnerë, por pavarësisht se aksidenti ishte i rëndë, shoferi nuk ka pësuar dëmtime, madje ka qenë ai që ka lajmëruar policinë, ambulancën dhe zjarrfikësen, që u kanë ardhur në ndihmë nxënësve duke i dërguar në spital.

(Nxënëset e aksidentuara në spital)
d.c./shqiptarja.com

VIDEO








