Një 31-vjeçar është arrestuar nga Policia e Elbasanit i akuzuar si autor i një sërë vjedhjesh në zonë.

31-vjeçari i identifikuar me inicialet Xh. M., u denoncua ditën e djeshme nga pronari i shtëpisë që kishte grabitur më datë 19 tetor, kohë kur në shtëpi nuk ndodhej askush.

Nga banesa ai kishte marrë shuma parash dhe disa sende me vlerë, të cilat i kishte fshehur në lokalin që administronte vetë.

31-vjeçari ka vjedhur gjithashtu disa materiale në një magazinë në lagjen “Katund i Ri”.

Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Night ”.

Vodhi sende me vlerë dhe para në një banesë, si dhe materiale në një magazinë, kapet menjëherë pas kallëzimit të pronarit të banesës, 31-vjeçari.

Disa nga sendet e vjedhura në banesë, 31-vjeçari i kishte fshehur te lokali që administronte.

Në vijim të punës hetimore dhe operacionale, me objektiv identifikimin dhe nxjerrjen e autorëve të vjedhjeve, përpara përgjegjësisë penale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan finalizuan operacionin policor të koduar "Night", si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 31 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas:

-më datë 19.10.2025, ka hyrë në banesën e shtetasit E. L., në lagjen “Katund i Ri”, kur nuk kishte shtetas aty, dhe ka vjedhur sende me vlerë dhe shuma parash, rast për të cilin pronari i banesës kallëzoi dje, në polici. Gjatë kontrollit të kryer në lokalin që administronte 31-vjeçari, u gjetën disa prej sendeve me vlerë të dyshuara të vjedhura në këtë banesë;

-më datë 05.11.2025, ka vjedhur materiale në një magazinë në lagjen “Katund i Ri”.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, në fushën e vjedhjeve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.