Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi dyshohen si autorë të 12 vjedhjeve të kryera në kryeqytet dhe në Durrës. Ata janë identifikuar si Florjan Shupli, 19 vjeç dhe Rafaelo Tola, 20 vjeç.
Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Serial’, u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi E. B., për veprën penale "Vjedhja", kryer në bashkëpunim.
Nga verifikimet e kryera dhe provat e grumbulluara ka rezultuar se të tre janë autorë të dyshuar të disa vjedhjeve të ndodhura në Tiranë dhe në Durrës, konkretisht:
- Më datë 29.09.2022, në Tiranë, në bulevardin “Migjeni”, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur me forcë një shumë parash, në një farmaci;
- Më datë 28.09.2022, në Durrës, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur në 3 biznese, në 1 farmaci dhe në 2 lokale;
- Më datë 24.09.2022, në Tiranë, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur në 3 biznese, dy prej tyre në rrugën "Muhamet Deliu" dhe njëri në rrugën "Jordan Misja";
- Më datë 17.09.2022, në rrugën "Preng Bib Doda", dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash, në një biznes në pronësi të shtetasit A. Ç.;
- Në muajin qershor, në Ndroq, Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash, në një furrë buke.
Komente









