/ATSH/- Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin mbi tregun e karburanteve në vend, duke konkluduar me disa rekomandime për mirëfunksionimin e këtij tregu. Sipas njoftimit të publikuar në faqen e AK-së, mbi hetimin e këtij tregu, komisioni bënë të ditur se, pas shqyrtimit të raportit të hetimit të thelluar dhe pretendimeve të palëve në seancat dëgjimore rezultoi se, gjatë periudhës objekt të hetimit nuk u gjetën evidenca të mjaftueshme, që të provonin marrëveshje të ndaluara apo abuzimi me dominancën kolektive midis ndërmarrjeve objekt hetimi. Megjithatë konkurrenca në tregun e importit dhe tregëtimit me shumicë të karburanteve nuk është mjaftueshëm efektive për shkak të strukturave të tregut dhe rregullimit ligjor (Ligji "Për hidrokarburet)" dhe atij nënligjor (Udhëzimet e Ministrisë së Financave dhe asaj të Energjetikës) të këtij tregu.
Sipas njoftimit të AK-së, hetimi i realizuar nga Autoriteti i Konkurrencës, evidentoi faktin se ekzistojnë hallka të tepërta në strukturat e tregut që nuk justifikojnë vlerën e shtuar që nga importi, zonat e lira doganore, shitjet me shumicë, shitjet me pakicë, deri tek konsumatori fundor, duke shkaktuar rritjen artificiale të kostove dhe një elasticitet të çmimit mesatarisht të ulët, kryesisht kur ulet çmimi në tregun ndërkombëtar.
Shkalla e lartë e përqëndrimit të tregut dhe tendencat për rritjen e këtij përqëndrimi, kryesisht në tregun e importit, kërkojnë përmirësime strukturore të tregut dhe ndërthurjen e instrumentave përtej atyre të Autoritetit të Konkurrencës, për të ndihmuar në kontrollin e abuzimit dhe ndalimin e këtij abuzimi, që mund të shkaktohet nga ndërmarrjet që kanë fuqi tregu, të aplikojnë praktika abuzive duke dëmtuar konsumatorin fundor.
Komisioni i Konkurrencës bazuar në ligjin "Për mbrojtjen e konkurrencës" vendosi t'i rekomandojë Qeverisë Shqiptare, Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës, dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të rishikojë Ligjin nr. 8450, datë 24.02.19991 "Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre". Në këtë mënyrë ata duhet t'i krijojnë mundësi ndërmarrjeve që operojnë në tregun e shitjes me shumicë të eurodieselit dhe benzinës që të realizojnë edhe shitjen me pakicë, duke eleminuar në këtë mënyrë hallkat e tepërta në zinxhirin e tregtimit, për të mundësuar uljen e kostove të pajustifikuara ekonomike në krahasim me vlerën e shtuar të produktit. Gjithashtu, mund të ruajnë identitetin e produktit dhe të konkurrojnë nëpërmjet logos respektive tek shitësit me pakicë, për të mundësuar nxitjen e konkurrencës efektive në këtë treg.
Komisioni i Konkurencës rekomandon të krijohet baza ligjore dhe infrastruktura administrative e nevojshme, për një njësi të transparencës së çmimit të hidrokarbureve, në të cilën ndërmarrjet që operojnë në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve duhet të njoftojnë në kohë reale brenda 5-15 minuta këtë njësi dhe Autoritetin e Konkurrencës për çdo ndryshim të çmimit të shitjes me shumicë. Ky rekomandim bazohet në praktikat më të mira në tregun e karburanteve, rasti i rekomandimeve të rregullimit të tregut në Gjermani (2013).