Një avari në kanalin e furnizimit që ushqen katër degët kryesore të ujitjes nga Rezervuari i Thanës ka krijuar probleme me furnizimin me ujë për zonat e Lushnjës, Divjakës dhe Fierit.

Lajmi është bërë i ditur nga Andis Salla, i cili njofton se ekipet ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defektit dhe rikthimin e sistemit në funksionim normal.

Sipas ministrit, po bëhen përpjekje për eliminimin e avarisë sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa banorëve dhe fermerëve të prekur u është kërkuar mirëkuptim deri në zgjidhjen e situatës.

"Njoftojmë banorët dhe fermerët e zonave të Lushnjës, Divjakës dhe Fierit se është konstatuar një avari në kanalin e furnizimit që ushqen katër degët kryesore të ujitjes nga Rezervuari i Thanës. Ekipet tona ndodhen në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për eliminimin e avarisë dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal me ujë. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për këtë situatë të papritur dhe ju sigurojmë se po bëhet çdo përpjekje për ta kthyer sistemin në funksionim të plotë sa më shpejt. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin!" shkroi ai në rrjete sociale