Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, tha për mediat se shkaku se përse Gjykata e Posaçme vendosi sot të shtyjë seancën paraprake të dosjes ‘Meta’ është se ish-presidenti nuk është njohur me fashikujt.

Më tej, Cakrani sulmoi gjytaren e çështjes, Irena Gjoka, duke thënë se kjo e fundit pranon të gjithë kërkesat e prokurorëve të posaçëm pasi ndihet e shantazhuar nga fakti që vetë është në hetim nga SPAK.

“Mungonte një prej avokatëve të palëve, të zonjës Kryemadhi, gjithashtu nga gjykata u lanë disa detyra që prokurorët duhet t’i informonin në ambientet e paraburgimit të gjithë fashikujt që ai kërkoi. Gjithashtu i kërkuam të saktësonin dhe akuzën dhe të na sillnin listën e provave. Prokurorët nuk e kishin këtë detyrë, padyshim që ne kërkuam përsëri. Pati një tension sepse prokurorët kërkuan pezullimin e afateve të paraburgimit për zotin Meta, i cili ishte aty prezent dhe nuk ishte ky shkaktari për shtyrjen e seancës gjyqësore. Pati një tension ndërmjet avokatëve, të paktën ndërmjet zotit Lima dhe unë me gjyqtaren Irena Gjoka, e cila e pranoi kërkesën, megjithëse ne nuk e vinim në dyshim që zonja Gjoka pranon çdo kërkesë të prokurorëve. Zonja Gjoka është e shantazhueshme nga zotërinjtë prokurorë pasi po hetohet nga ata për çështjet e saj personale. Ajo vazhdon të mos i marrë parasysh dhe t’i injorojë kërkesat tona”,- tha Cakrani.

“Meta ka kërkuar të njihet me 2 momente. Atë të CEZ-DIA, po jo me kontratën që nuk kanë lidhje me zotin Meta, se ai nuk ka qenë as kryeministër dhe as nuk ka patur gisht, dhe tjetra ka qenë me lobimin. Këta janë 2 dosjet që zoti Meta kërkon të njihet me to”,- shtoi avokati.


Lajmi kryesor:

Shtyhet sërish seanca paraprake për dosjen 'Meta', GJKKO urdhëron SPAK t'i japë ish-presidentit një pjesë të akteve! E radhës më 22 dhjetor