Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, e ka konsideruar zhgënjyes vendimin dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se vendimi i sotëm i Speciales nuk është ditë e mirë për sundimin e ligjit, të drejtën ndërkombëtare dhe as Kosovën. Dixon theksoi se vendimin për burgim me 18 vjet burgim ndaj Kadri Veselit do ta dërgojnë në apel për të vazhduar luftën për pafajësinë e tij.
“Jemi thellësisht të zhgënjyer me aktgjykimin fajësues dhe dënimin e shpallur këtë mëngjes. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, në emër të z. Veseli, kemi theksuar qartë mungesën e provave për përfshirjen e tij në ndonjë rrëmbim, vrasje apo aktivitet kriminal gjatë luftës për lirinë e Kosovës. Fatkeqësisht, kjo nuk është një ditë e mirë për Kosovën. Nuk është një ditë e mirë as për sundimin e ligjit dhe as për të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, ne do ta shqyrtojmë me shumë kujdes këtë aktgjykim të gjatë, të cilin sapo e kemi pranuar, me qëllim që të paraqesim një apelim të fuqishëm dhe të vazhdojmë luftën për të dëshmuar pafajësinë e z. Veseli dhe për ta kthyer atë në shtëpi, në Kosovë”, tha ai.
Ai nuk pranoi të flasë në detaje për apelin, por shtoi se Veseli është në gjendje të mirë shpirtërore dhe i gatshëm të vazhdojë luftën kundër vendimit të Speciales.
“Nuk jam në gjendje t’u përgjigjem tani për pyetje të detajuara. Jam i sigurt se e kuptoni që procedurat janë duke vazhduar. Por dua ta bëj të qartë se ne do ta shqyrtojmë këtë aktgjykim dhe do të paraqesim një apelim shumë të fuqishëm kundër tij... Shkurtimisht, ai është në gjendje të mirë shpirtërore dhe është i gatshëm të vazhdojë luftën. Nuk mund të hyj në më shumë detaje rreth vendimit... Ne do ta shqyrtojmë atë dhe do të ndërmarrim hapat e ardhshëm për të luftuar për z. Veseli”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Ditë e zezë për Kosovën/ Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së për krime lufte! Nga 25 vite për Thaçin e Krasniqin, rrëzohen akuzat për krime kundër njerëzimit (VIDEO)




