Avokatja e “Bavaria” arbitër për shtetin në Drejtorinë e markave

Thellohet skandali i tregtimit në Shqipëri të pijes B-52, të prodhuar nga kompania holandeze Bavaria, e cila vijon të importojë të njejtin produkt duke përdorur marka të falsifikuara, pavarësisht vendimeve të gjykatave.

Këtë herë misteri përfshin drejtpërsëdrejti Drejtorinë e Markave dhe Patentave (DPPI), vendimet e së cilës deri tani (në mënyrë të habitshme) gjithnjë kanë qenë në favor të shoqërisë Bavaria dhe kundër shoqërisë shqiptare Arseni shpk, e cila ndodhet në konflikt me Bavarinë për zotërimin e markës B-52. Skandali qendron në atë, që avokatja mbrojtëse e kompanisë Bavaria në të njejtën kohë është edhe anëtare e bordit të apelimit të Drejtorisë së Markave, pra të atij organizmi që deri tani i ka dhënë të drejtë gjithnjë kompanisë Bavaria dhe ka rrëzuar Arseni shpk.

Konflikti i interesit është pa precedent. Avokatja që quhet Mirela Malka, siç duket edhe në profilin e saj publik dhe në faqen online të DPPI-së, punon pranë Drejtorisë së Markave dhe Patentave, duke mbajtur postin e njerit prej pesë anëtarëve të bordit të apelimit. Në praktikë, kur ka një kundërshti lidhur me një markë, bordi i apelimit i DPPI-së mblidhet dhe merr vendim për të zgjidhur konfliktin:  firmat Arseni shpk dhe Bavaria deri tani kanë patur dy konflikte per pijet energjike perballe bordit te apelit ne  Drejtorinë  e markave, të fituara gjithnjë nga Bavaria dhe më pas jane hedhur poshte nga gjykata.


Mirela Malka është një nga anëtaret e bordit të apelimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Markave dhe Patentave

Konflikti i parë kishte të bënte me zotërimin e markës B-52, që Arseni shpk ka regjistruar në Shqipëri gjashtë muaj para Bavarisë dhe kështu që është titullar ekskluziv i saj. Por bordi i apelimit i DPPI-së kishte vendosur ndryshe, duke favorizuar me vendimin e tij kompaninë Bavaria. Atëhere Arseni shpk iu drejtua Gjykatës së shkallës së parë, asaj të shkallës së dytë dhe Gjykatës së Lartë, të cilat vendosën që Drejtoria e Markave e kishte gabim dhe se marka B-52 i takon efektivisht dhe ekskluzivisht për territorin shqiptar firmës Arseni shpk.

Konflikti i dytë ka shpërthyer kur Bavaria hodhi në treg një pije të dytë me markën “852”, e cila është identike, në grafikë e ngjyra, me B-52-shin e ndaluar: edhe në këtë rast, bordi i apelimit i Drejtorisë së Markave i ka dhënë të drejtë firmës Bavaria. Arseni shpk bëri padi në Gjykatë; edhe një herë Gjykata e Apelit rrëzoi Drejtorinë e Markave, duke konfirmuar se marka 852 është identike me markën B-52 të Bavarisë dhe kështu që nuk mund të tregtohet në Shqipëri, pikërisht ashtu sikurse pretendonte Arseni shpk.


Mirela Malka rezulton të ketë mbrojtur në gjyq kompaninë Bavaria

Tani po përgatitet të shpërthejë një konflikt i tretë, pasi Bavaria ka hedhur në qarkullim një markë të tretë pijesh energjike, të quajtur “8S2”, edhe një herë identike, si me B-52, ashtu edhe me 852, që konkurron në mënyrë të paligjshme pijen B-52 të Arsenit shpk, por të shumtë janë ata që parashikojnë se edhe këtë herë bordi i apelimit i Drejtorisë së Markave do t’i japë të drejtë Bavarisë.       

Misteri ndoshta tani u shpjegua. Mirela Malka, anëtare e bordit të apelimit të Drejtorisë së Markave, paguhet si avokate e firmës Bavaria. Prova qendron në dokumentin që ka gjetur Shqiptarja.com pranë Gjykatës së Tiranës. Më 13 dhjetor 2016 Mirela Malka, në fakt, ka mbrojtur si avokate shoqërinë Bavaria në procesin kundër shoqërisë gjermane “Bayerischer Brauerbund”. Bashkë me Mirela Malkën, shoqëria holandeze përfaqësohej edhe nga avokati Krenar Loloçi, titullar i së njejtës studio ligjore, pranë së cilës punonte Mirela Malka.

Por ka edhe një koincidencë tjetër. Mirela Malka ka qenë mbrojtëse e një kompanie maqedonase deri në momentin e vendimit të majit 2017 edhe në një proces gjyqësor kundër Arseni shpk, këtë herë të nisur pikërisht nga firma maqedonase, e cila e kishte regjistruar e para markën B-52 dhe që pastaj ia kishte shitur shoqërisë shqiptare. Pas shitjes së markës, shoqëria maqedonase ishte përjekur ta anulonte atë kontratë, e cila në të vërtetë rezultonte të ishte krejtësisht e ligjshme.

Palë e tretë në proces ishte vetë Drejtoria e Markave dhe Patentave, pranë së cilës punon (me honorare) avokatja Malka. Interesant është fakti që, edhe këtë herë, pozicioni i avokates Malka ishte kundër Arseni shpk, kështu që, indirekt, ajo ishte në favor të firmës Bavaria, e cila pikërisht po luftonte në përpjekje për t’i hequr Arseni shpk të drejtat mbi markën B-52.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan