ATHINE - Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos duket i shqetësuar për situatën më të fundit në Ballkan. Gjatë një raportimi në Parlamentin grek kur diskutohej projekt-buxheti për vitin 2013, Avramopulos deklaroi se Ballkani është i tronditur nga e kaluara dhe dërgon mesazhe kërcënuese.

Ai ngulmoi se në rajon është ringjallur shovinizmi dhe akuzoi fqinjët veriorë për qëndrime nacionaliste.

“Lodhja dhe mungesa e përparimit në çështje kritike sjell përsëri në pah qëndrimet nacionaliste dhe populiste në fusha mjaft të ndjeshme të fqinjëve tanë veriorë. Greqia lufton të mbetet larg sindromit ballkanik të së shkuarës dhe të jetë gjithmonë një shtyllë e fortë sigurie, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-s”, u shpreh ministri.

Zyrtari i lartë grek u ndal tek çështja e ndarjes së kufijve detarë duke nënvizuar se “politika e Ministrisë së punëve të Jashtme greke është caktimi i kufijve të zonave detare me fqinjët, gjë që sipas tij i shërben konsolidimit të paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Ministri i Jashtëm grek deklaroi se vendi i tij lufton për të ndihmuar shtetet fqinje në përparimin e tyre drejt integrimit evropian. Kjo sipas tij, duke mos bërë lëshime substanciale në reformat thelbësore, që duhet të bëhen për demokracinë, për respektimin e rregullave të fqinjësisë së mirë dhe për zhvillimin e balancuar të marrëdhënieve dypalëshe.

Avramopulos deklaroi se “iniciativat energjetike do ndryshojnë ekuilibrat në rajon dhe se TAP përbën një hap me rëndësi për sektorin energjetik të Greqisë”.

Ministri Avramopulos tha se Presidenca greke e Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2014, do të përfshijë si prioritet ndër të tjera, të ardhmen e Gadishullit Ballkanik në Evropë.

(Shqiptarja.com)