TIRANE - Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka zhvilluar sot një takim me homologun e saj, në Greqi, Dimitris Avramopulos. Siç bën të ditur Ministria e Mbrojtjes, gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të rëndësishme.
 
Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, si dhe mbështetjen e padiskutueshme në rrugën e Shqiperisë drejt BE-së. Të dy palët ndanë të njëjtin mendim që takimi i sotëm i jep një dimension të ri bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
 
Ashtu si kryeministri Samaras, edhe ministri Avramopulos, shprehu bindjen se nën drejtimin e qeverisë Rama e ardhmja e vendit është e sigurt. “Është një politikan modern dhe largëpamës, është fat për Shqipërinë që ka një politikan të tillë”,- u shpreh Avramopulos.
 
Dy ministrat kanë mbajtur edhe një deklaratë për median. Gjatë fjalës së tij, Avramopulos është kujdesur që të theksojë se ky është një kapitull i ri në bashkëpunimin dypalësh. “Ky takim është një mesazh paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe me gjerë në funksion të fqinjësisë së mirë. Ne do ju mbështesim fuqishëm në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE”,  tha ministri grek i Mbrojtjes.
 
Ndërsa ministrja Kodheli theksoi se “me ministrin Avramopulos ndamë të njëjtn qëndrim mbi mundësinë për të thelluar më tej marrëdhëniet tona në fushën e mbrojtjes për ta bërë atë më produktive për forcat tona të armatosura”.
 
mimi kodheli Dimitris Avramopulos

(Në foto: Ministrja Mimi Kodheli me ministrin Dimitris Avramopulos, Shikoni  FOTO të tjera)

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)