Azem Hajdari s’i mbledh
të gjithë, mungon Topalli

Azem Hajdari s’i mbledh<br />të gjithë, mungon Topalli
TIRANE- Partia Demokratike dhe familja Hajdari kujtuan dje 17­vjetorin e vdekjes së “Heroit të Demokracisë” Azem Hajdari. Lulzim Basha e Sali Berisha, disa deputetë të Partisë Demokratike dhe simpatizantët zhvilluan homazhe pranë memorialit të tij, në rrugën “Abdi Toptani” në kryeqytet.

Përkrah Berishës e Bashës, dhe gruas e dy djemve të Azem Hajdarit, munguan disa figura të spikatura të Partisë Demokratike, madje nga ata me të cilët, “Heroi i Demokracisë” kishte marrë iniciativa madhore politike dhe kishte përballuar rreziqe gjatë vendosjes së sistemit pluralist. Ra në sy mungesa e  ish-kryetares së parlamentit, Jozefina Topalli, e cila ka qenë e pranishme në ceremonitë përkujtimore pranë familjes Hajdari për vite me radhë.

Po ashtu ka munguar Eduard Selami, Genc Ruli, Flamur Noka, Astrit Patozi, Ritvan Bode, Majlinda Bregu etj. Kryetari Lulzim Basha dhe lideri historik Sali Berisha vendosën lule në memorialin e Hajdarit, memorial i cili është vendosur në vendin ku ai u vra në vitin 1998. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se Azemi është gjallë, sepse e gjallë është kurajo e tij për të mos lëshuar liritë e fituara në dhjetorin e vitit 1990, kurajo për të mposhtur edhe një herë krimin e lidhur me pushtetin.

“Jemi këtu për të nderuar Tribunin e demokracisë shqiptare liderin e lëvizjes studentore të Dhjetorit, njeriun që vrau frikën e që me frikën e vrarë dhe të hedhur mbi supe, si një triumf i rinisë shqiptare shpërndau kurajën e njerëzve të lirë nga Jugu në Veri. Diktatura nuk ia fali kurrë Azem Hajdarit përmbysjen e madhe e të parikthyeshme, kthimin e lirisë së qytetarit në themel të një shoqërie, mposhtjen e frikës, ekzaltimin e kurajos qytetare.

Ndaj krimi i lidhur me pushtetin, shkuli Azem Hajdarin nga gjiri i demokratëve dhe shqiptarëve të lirë më 12 Shtator 1998”,-tha kreu i PD-së, duke shtuar se me forcën dhe kurajën e Hajdarit, PD së bashku me qytetarët, do të ndajë krimin nga pushtetit. “Por nuk e shkuli e nuk e shkul dot kurrë nga mirënjohja e demokratëve dhe e një kombi të tërë, nga nderimi për veprën e tij të pavdekshme. Azem Hajdari  është gjallë sepse e gjallë është kurajo, vendosmëria e tij për të mos lëshuar kurrë liritë e fituara në Dhjetorin e vitit 1990.

Azem Hajdari është gjallë sepse e gjallë është forca kreshnike e Azem Hajdarit në Partinë Demokratike për ti prirë qytetarëve të lirë, për ta mposhtur dhe një herë krimin e lidhur me pushtet dhe pushtetin e bërë njësh me krimin”, u shpreh Lulzim Basha. Ndërkaq, Jozefina Topalli e ka kujtuar Azem Hajdarin përmes Facebook-ut. Ajo ka hedhur dy foto, në një njërën ku shfaqet Azem Hajdari me Sali Berishën në një miting demokrat, dhe në tjetrin, Azem Hajdarin gjatë emërtimit të një rruge me emrin “Arben Broci”.

“Kohë idealesh” -shkruan Topalli, një shprehje kjo e përdorur shumë prej saj së fundmi, kur shprehet se kësaj opozite, i mungojnë njerëzit me ideale për ndërtimin e një sistemi demokratik. Kanë kaluar 17 vjet, por hipotezat për vrasjen e Azem Hajdarit asnjëherë nuk kanë reshtur. Në përvjetorin e 12-të atentatit vdekjeprurës, bashkëshortja e tij ka deklaruar se çështja e vrasjes së ish-deputetit të PD-së ende nuk është zbardhur, pasi procesi është zhvilluar nën trysni politike, në një kohë të vështirë dhe të pamundur për të marrë vendime të drejta dhe prandaj ai duhet rihapur.

Megjithatë, edhe në tetë vjet pushtet ekzekutiv të PD, nuk u bë asgjë për të hedhur më shumë dritë mbi shkaqet dhe autorët e vrasjes. Në pranverën e vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë, pas një maratone prej 65 seancash, arriti në përfundimin se provat tregonin që vrasja ishte kryer për motive të dobëta të hakmarrjes. Gjykata kishte zbardhur skenën e krimit, duke vënë gishtin mbi atentatorët Jaho Salihi dhe Fatmir Haklaj, por pa iu përgjigjur pyetjes se çfarë i kishte shtyrë realisht këta njerëz për të kryer këtë krim.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Artisti italian krijon portret gjigand të Kamala Harris në tokë

Artisti italian krijon portret gjigand të Kamala Harris në tokë