TIRANË - Një fjalim në Kuvend i Azem Hajdarit në vitin 1992 nxjerr në pah disa sinjale mjaft domethënëse se si Azemi pati nuhatur, kuptuar mjaft herët shenjat e para të një historie neodiktatoriale që po përsëritej në Shqipërinë e sapondërrimit të sistemeve, si dhe rrezikun që po i kërcënohej jetës së tij. 

UNË DI DHE NJERIU QË DI DUHET TË ZHDUKET, LE TË JEM VIKTIMA E PARË E KËSAJ DIKTATURE,
"E dija që një ditë do të dilja përpara Parlamentit ose përpara një institucioni tjetër dhe do të diskutohesha. Pse? Jam i pari. Isha tre muaj kryetar i Partisë Demokratike, ish-kryetar i Lëvizjes Studentore dhe nënkryetar i saj. Domethënë di, dhe njeriu që di duhet të zhduket", lëshon deklaratën paralajmëruese Azemi në Kuvendin e 1992-shit në lidhje me heqjen e imunitetit të tij të deputetit pas akuzës për goditjen e një punonjësi të PD-së. Apo duke shtuar se "në rast se kjo diktaturë e re, e cila ka ndërmarrë një maratonë, vazhdon në këtë mënyrë, le të jem unë viktima e parë e kësaj diktature. Nuk i kërkoj asnjërit mëshirë".

NE DEPUTETËT KEMI NJË 'TË DASHUR': TË VËRTETËN', ZGJOHUNI, U KA IKUR NGA SHTRATI!
Azemi zbulon shkaqe, të cilat shfaqen më të thella, jo thjesht dhe vetëm të lidhura me incidentin. Dhe jo vetëm ka kuptuar, por ndryshe nga gjithë të tjerët e llojit të vet, të së njëjtës familje politike, PD-së, Azem Hajdari është i vetmi që thotë troç, prerazi, me gjithë vërtetësinë lakuriqe në deklarata të forta "në sulm".
"Ne deputetet kemi një “të dashur”: ajo është e vërteta. Zgjohuni, zotërinj deputetë, zgjohuni, se “e dashura” u ka ikur nga shtrati!", thotë Azem Hajdari në 1992, fjalë të rralla apo harruara edhe në Kuvendin e këtyre viteve. Si gjithmonë pa u trembur, karakteristikë kjo e Azemit. Duke marrë parasysh të gjitha pasojat, që shoqërojnë në Shqipëri njerëzit e lirë.

NE JEMI MARIONETA NË DUART E NJË REGJISORI, QË BËN ME NE SI I DO QEJFI
"Kjo do të thotë se ne jemi marioneta, që na i ngre dhe na i ul duart një regjisor dhe që bën me ne si t’i dojë qejfi, pa pyetur as elektoratin dhe as Kushtetutën". Kush është regjisori? Azemi s'përmend emër, por lë nënkuptime. Ai e quan veten "kokë turku", se e "dinte se do dënohej", dhe se "është një njeri që di dhe si i tillë njeriu që di duhet të zhduket".

UNË JAM KOKË TURKU, NUK E FSHEH: JAM I SHQETËSUAR
"Lidhet me kokën e turkut, që në këtë rast jam unë. Ju, të nderuar deputetë, e dini si drita e diellit se kjo kundërvajtje penale, e inskenuar, nuk do të çojë në dënimin e Azem Hajdarit.", thotë Azemi. Azemi diku tjetër nuk fsheh as shqetësimin: "Nuk dua ta fsheh; jam i shqetësuar nga zhvillimi i ngjarjeve të fundit në jetën politike".

DO PRANOJ DHE GODITJE TË TJERA, NUK LARGOHEM AS NGA SHQIPËRIA, AS NGA PD
Por megjithë këtë deklaron: "Unë jam i ri, do t’i pranoj edhe goditje të tjera, edhe inskenime të tjera, nuk largohem nga Shqipëria. As unë, as fëmija im. Nuk largohem as nga Partia Demokratike. Nuk largohem as nga pikëpamjet e mia antikomuniste".

PJESË NGA FJALIMI I AZEM HAJDARIT NË SEANCËN PLENARE TË 28 SHTATORIT 1992:
…Unë jam shumë dakord që të mbrohet qytetari i thjeshtë… Por nuk jam aspak dakord që një deputeti t’i mbyllen dyert e ankimit, kur akuza ndaj tij është e pabazuar, e paargumentuar në bazë të legjislacionit që ka sot në dispozicion Republika e Shqipërisë…

Problemi është politik dhe thjesht politik… E dija që një ditë do të dilja përpara Parlamentit ose përpara një institucioni tjetër dhe do të diskutohesha. Pse? Jam i pari. Isha tre muaj kryetar i Partisë Demokratike, ish-kryetar i Lëvizjes Studentore dhe nënkryetar i saj. Domethënë di, dhe njeriu që di duhet të zhduket.

Nuk dua ta fsheh; jam i shqetësuar nga zhvillimi i ngjarjeve të fundit në jetën politike, që çoi deri në kërkimin e heqjes së imunitetit tim, lidhur me një pseudokrim dhe që nuk dihet se ç’situata të reja do të sjellë në ditët që do të vijnë…

Nëse një deputet bën një kundërvajtje penale dhe atij i hiqet imuniteti për këtë kundërvajtje, atëherë ne nuk jemi më deputetët e kohës së demokracisë, por deputetë të kohës së Enverit. Kjo do të thotë se ne jemi marioneta, që na i ngre dhe na i ul duart një regjisor dhe që bën me ne si t’i dojë qejfi, pa pyetur as elektoratin dhe as Kushtetutën.

E dyta, lidhet me kokën e turkut, që në këtë rast jam unë. Ju, të nderuar deputetë, e dini si drita e diellit se kjo kundërvajtje penale e inskenuar nuk do të çojë në dënimin e Azem Hajdarit. …imuniteti i Azem Hajdarit hiqet sot, dhe kjo do të thotë se asnjë në këtë Parlament nuk ka më imunitet. Sepse nesër, kur ndonjëri prej jush do të bëjë gabim, gabimin tim, duke u përpjekur të thotë të vërtetën ndershmërisht, do t’i hiqet në çast imuniteti.

Dëshmitarë të rremë në një vend të varfër gjen plot… Në Shqipëri, Enveri provoi dhe përvoja e tij la një proverb: “Kur punët shkojnë keq në fushën ekonomike, lumi kapërcehet me procese të montuara politike”… Zotërinj deputetë, mos kërkoni koka turku, sepse s’ua ka kush borxh t’i ndërroni kombësinë… Ne deputetet kemi një “të dashur”: ajo është e vërteta. Zgjohuni, zotërinj deputetë, zgjohuni, se “e dashura” u ka ikur nga shtrati.

Azem Hajdari është ai i dhjetorit 1990 dhe nuk luan nga pozicioni i tij i atëhershëm, sikur edhe malet të luajnë nga vendi. Populli e di mirë këtë, mësojeni edhe ju…

Në rast se kjo diktaturë e re, e cila ka ndërmarrë një maratonë, vazhdon në këtë mënyrë, le të jem unë viktima e parë e kësaj diktature. Nuk i kërkoj asnjërit mëshirë. Asnjëherë s’kam për të hequr dorë nga rruga ime për demokraci: jam i ri… Nuk i kam kërkuar dhe nuk i kërkoj askujt post. Po në kohën e diktaturës, kur unë mora vendim që të jepja jetën, fëmijë, familjen dhe me traditat e pasura që ka, unë nuk e dija që ju do më çnderonit, se ky është një çnderim.

Unë jam i ri, do t’i pranoj edhe goditje të tjera, edhe inskenime të tjera, nuk largohem nga Shqipëria. As unë, as fëmija im. Nuk largohem as nga Partia Demokratike. Nuk largohem as nga pikëpamjet e mia antikomuniste. Vetëm një gjë kini parasysh: vazhdoni, vazhdoni radhën! Populli kësaj radhe le të gjykojë! Në rast se është e mira në favor të drejtësisë, unë për veten time që sot jam gati t’i nënshtrohem kujtdo.Po e mbyll me një shprehje që e ka thënë Bardhyl Londo: “Në rast se demokracia vjen në këtë mënyrë, mos ardhtë kurrë!”. Dhe ju demokracinë po e sillni me shumë dhimbje".

Fjalimi rinxirret në shtyp nga Tema.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)