Rreth 700 familje shqiptare mund të marrin më shumë se 3,000 £ për të lënë Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ministrat po përballen me një faturë në rritje të emigracionit.

Tatimpaguesit vazhdojnë të sigurojnë strehim për azilkërkuesit me fëmijë, të cilëve u janë refuzuar tashmë kërkesat dhe kanë refuzuar të kthehen në atdhe vullnetarisht. Muajin e kaluar, Ministrja e Brendshme Shabana Mahmood, kritikoi mungesën e urgjencës nga departamenti i saj për t’i deportuar ata, ndërsa njoftoi ndryshime të gjera në sistemin e imigracionit.

Shabana Mahmood po shqyrton tani rritjen e shumës që u ofrohet migrantëve që pranojnë të largohen, për të përshpejtuar largimin e tyre.
Alex Norris, ministri për sigurinë kufitare, i tha LBC-së se ky është “një investim i mirë për tatimpaguesin”, por refuzoi të jepte një shifër të saktë të pagesës.

Momentalisht, ne mund t’u paguajmë njerëzve rreth 3,000 paund dhe nuk kërkoj falje për këtë. Kjo do të thotë se mund t’i largojmë më shpejt dhe tatimpaguesi kursen para, pasi ata nuk do të strehohen në hotele me çmime të shtrenjta. Po shikojmë nëse rritja e kësaj pagese mund të ndihmojë, veçanërisht për familjet, sepse kemi 700 familje shqiptare që janë azilkërkues të dështuar në sistem. Nëse një stimul i vogël i largon ata, atëherë sigurisht që kjo është gjëja e duhur për të bërë dhe pikërisht për këtë po e shqyrtojmë” tha Ministri britanik Alex Norris.

Kjo vjen pasi zyrtarët paralajmëruan se mungesa e prioritetit për largimin e familjeve ka bërë që “përfitimi personal i vendosjes së një fëmije në një varkë të vogël të rrezikshme të peshojë më shumë se rreziqet e konsiderueshme të një veprimi të tillë.”

Një qendër e tetë për largimet e imigrantëve u hap këtë javë nga Ministria e Brendshme, pranë Oksfordit, për të rritur numrin e fluturimeve të deportimit. Campsfield House shton 160 shtretër në 2,400 që janë aktualisht në dispozicion në qendrat e ndalimit në MB dhe pritet të zgjerohet më tej me edhe 240 vende të tjera në të ardhmen.

Objekti do të mbajë emigrantë të ardhur me varka të vogla, si edhe kriminelë të huaj që pritet të deportohen, si dhe shkelës të imigracionit të kapur duke punuar ilegalisht në MB.

Duke parë ambientet para se të transferoheshin migrantët e parë, Alex Norris i tha LBC-së:
Publiku pret rend dhe kontroll në sistemin tonë të migracionit dhe një pjesë thelbësore e kësaj është rritja e numrit të njerëzve që largohen. Për ta bërë këtë, duhet të kesh kushte shumë të mira ndalimi. Kështu që ky është objekti që po hapim për fazën e fundit para se njerëzit të largohen nga vendi. Kemi bërë përparim shumë të rëndësishëm në kohën tonë në qeveri, por duam të shohim edhe më shumë. Do të bëjmë ndryshime, siç u zotuam para disa javësh, në ligj, për t’u siguruar që, qoftë interpretimi vendas apo traktatet ndërkombëtare, të mos e pengojnë këtë proces.

LBC