TIRANË - Mbi programin e ri të qeverisë Rama, ka komentuar sot në mbrëmje edhe drejtori i televizionit "A1 Report", analisti Ilir Babaramo. Në studio ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarit, Andi Kapxhiu mbi pretendimet e opozitës për "se Rama nuk do të mbajë premtimet".

PROGRAMET, TË BUKURA NË LETËR, DUHEN 100 DITËT E PARA PËR TË KUPTUAR
"Programet në letër janë të bukura, ambicioze. Kur nisin të zbatohen nisin diskutimet e vërteta reale. Të shohim kur kalojnë 100 ditët e para të një qeverie të shohim si do realizohen", nisi analizën e tij, Babaramo.
Më tej ai ka shtuar, se kjo qeveri ka fatura të papaguara, ka vonesa në pagat. "Të shlyesh borxhet publike të papaguara dhe të ndërtosh korridorin e gjelbër apo të kaltër, që po lexoj në program, është nismë e guximshme nga ana financiare. Ku do gjenden të ardhurat? Mund të gjenerojnë, nëse informaliteti dhe monopolet që i kanë marrë frymën ekonomisë shqiptare marrin fund. Këtu nuk funksionon tregu. Janë 2-3 vetë që kanë kaparuar gjithçka, që prodhojnë financat publike dhe gjithë pjesa tjetër është e atrofizuar", ka analizuar Babaramo.

NAFTA, ÇMENDURI QË EDHE EKSPORTOHET, EDHE IMPORTOHET NGA JASHTË, DËMI 500 MILIONË LEKË
"Nafta jonë eksportohet, ndërkohë që nafta edhe importohet nga jashtë. Kjo është një çmenduri. Duhet të përpunohej në vend. 500 milionë dollarë humbet shteti vetëm nga kjo çmenduri. Kur duhet të ishte një cikël i mbyllur", ka analizuar Babaramo një nga aspektet e ekonomisë shqiptare për t'u korrigjuar nga qeveria e re.

DO KALOHET NË SITË GJITHË LEGJISLACIONI, NUK DI DERI KU DO PREKIN
I pyetur mbi reformat në sistemin e drejtësisë, Babaramo shpjegoi se "për sa i përket drejtësisë, duke e lidhur me legjislacionin në tërësi, thuhet se të gjitha ligjet bazike do amendohen apo rishkruhen. Do kalojë në sitë gjithë legjislacioni. Ende nuk është e qartë deri ku do arrijnë të prekin".   

SHQIPËRI-KOSOVË, DUHET TREG UNIK KOMBËTAR
"Funksionimi I mbledhjeve të përbashkëta do ishte shumë mirë, pasi shohim një realitet të dhimbshëm, ku mallrat e Shqipërisë dhe Kosovës bllokohen. Shkëmbimet tregtare janë tepër larg shifrave që duhet të ishin", theksoi Babaramo marrëdhëniet e reja mes dy qeverive të dy vendeve.
 
Ai ka shtuar faktet se "Shqipëria është eksportuesi i pestë i Kosovës. Shkëmbimin më të madh tregtar Kosova e ka me Serbinë. Nuk flas për nacionalizëm, por pragmatizëm ekonomik. Duhet një treg unik kombëtar. Forca bazohet te ekonomia".

PARTNERËT STRATEGJIKË TË QEVERISË RAMA
Në program cilësohet partneritet strategjik me SHBA, me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. "Është shtuar tek vendet strategjike dhe Turqia. Rama thjesht e ka evidentuar këtë, se edhe qeveritë e mëparshme kanë pasur marrëdhënie strategjike, por këtë herë është shtuar, pasi biznesi turk është në ekspansion, përveç faktit se Turqia është vendi i dytë me ushtrinë më të madhe të NATO-s, këtu shtohet edhe ana ekonomike", analizoi Babaramo.


Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)