Bajram Begaj në Itali, pritet me ceremoni zyrtare nga homologu Mattarella! Presidenti: Të mbyllet sa më shpejt marrëveshja për sigurimet shoqërore

ITALI- Presidenti Bajram Begaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali, ku është pritur me ceremoni shtetërore nga presidenti Sergio Mattarella. Në këtë vizitë, Begaj shoqërohet nga bashkëshortja Armanda Begaj. Kjo është vizita e parë e Presidentit Begaj në një prej vendet e Evropës Perëndimore, por edhe një konfirmim i një dialogu shumë të mirë politik e në nivelet më të larta midis dy vendeve. Pas ceremonive të rastit, Presidenti Begaj dhe Presidenti Mattarella, zhvilluan një bisedë kokë më kokë e më pas kryesuan delegacionet zyrtare në një takim të zgjeruar.

Në fokus të bisedës mes tyre ka qenë marrëdhëniet tradicionalisht miqësore mes dy vendeve, ndërsa Begaj shprehu mirënjohjen për vullnetin e Italisë për të përmbyllur procesin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore. Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për vullnetin e palës italiane për të përmbyllur procedurat e marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe shprehu besimin se kjo marrëveshje do të bëhet shumë shpejt efektive, për të ndihmuar si shqiptarët ashtu edhe italianët që jetojnë e punojnë respektivisht në të dy vendet.

Një vëmendje gjatë diskutimit mori edhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ku Begaj i shprehu mirënjohen Mattarellës për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në këtë drejtim. Duke u ndalur te roli e te kontributi i arbëreshëve dhe i komunitetit të ri shqiptar në Itali, Kreu i Shtetit vlerësoi se falë mbështetjes e solidaritetit shtetëror, si dhe falë mikpritjes italiane ata janë më së miri të integruar në jetën sociale, ekonomike, por edhe politike italiane, duke mos u ndjerë kurrë të kërcënuar për t’u asimiluar. Të dy Presidentët ranë dakord të mbështesin iniciativat e përbashkëta shtetërore në ruajtjen dhe në promovimin e këtyre vlerave të përbashkëta, të cilat qëndrojnë në themel të miqësisë së sprovuar midis dy popujve.

Një nga këto iniciativa, si ajo e fondit të trashëgimisë arbëreshe “Moti i Madh”, është e lidhur me përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen dhe promovimin në UNESCO të gjuhës dhe traditave arbëreshe. Një vëmendje të veçantë të dy Presidentët u kushtuan edhe zhvillimeve më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndikimit në këtë rajon të pasojave të agresionit ushtarak rus në Ukrainë, si dhe shtimit të aktiviteteve të aktorëve të tretë dashakeqës me synim destabilizimin e rajonit.

Në kuadër të zhvillimeve rajonale, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e Italisë për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkanit Perëndimor, si dhe shprehu mirënjohje për konsiderimin e këtij rajoni si një prioritet dhe për mbështetjen shumë domethënëse të procesit të zgjerimit në kuadër të Bashkimit Evropian, por edhe si një aktor aktiv në kuadër të Procesit të Berlinit. Me rëndësi, Presidenti Begaj nënvizoi mbështetjen që Italia i ka dhënë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera rajonale, gjithashtu dhe dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.   Në fund të takimit, të dy Presidentët ranë dakord të vijojnë inkurajimin dhe mbështetjen për institucionet e të të dy vendeve në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit e të miqësisë.

Presidenti Begaj shprehu ngushëllimet për jetët e humbura dhe keqardhje për dëmet e mëdha të përmbytjeve gjatë ditëve të fundit në rajonin e Emilia Romagna-s, si dhe e siguroi Presidentin Mattarella për solidaritetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve me popullin italian në këto momente. Në mënyrë të veçantë, Kreu i Shtetit vlerësoi rolin dhe mbështetjen e Italisë pas ndryshimeve demokratike mbi tri dekada më parë.

Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëdimensionale ekonomiko-sociale përmes programeve të zhvillimit e ndihmës, si dhe pritjen e afro gjysmë milioni emigrantësh shqiptarë në Itali, Presidenti Begaj nënvizoi se këto ngjarje i kanë bërë edhe më të forta marrëdhëniet ndërnjerëzore e ndërshtetërore midis dy vendeve. Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira ekonomike e tregtare, dhe duke iu referuar Italisë si partneri kryesor e i privilegjuar tregtar dhe si një prej donatorëve kryesorë për Shqipërinë, nënvizoi se mundësitë janë edhe më të mëdha në këtë drejtim.

Prania në rritje e sipërmarrësve italianë në Shqipëri dhe interesi për investime në sektorët strategjikë apo në projekte madhore rajonale si Gazsjellësi TAP e Korridori 8-të, janë dëshmia më e mirë në këtë drejtim, por që duhen promovuar edhe më shumë. Një mirënjohje të veçantë, Presidenti Begaj e shprehu për mbështetjen e vyer që Italia i ka dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë gjatë gjithë rrugëtimit të këtij procesi.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr