Reali i Madridit vuan shumë, por në fund merr pikët e plota në një transfertë tepër të vështirë në Cordoba. Kampionët e Botës ashtu sikur edhe në fazën e parë kishin mjaft telashe përballë modestëve duke e nisur që në fillim mjaft keq sfidën, pasi shkaktojnë një penallti në zonë pas një goditje nga këndi.

Ghilasit nga pika e bardhë godet saktë duke kaluar vendasit në avantazh, por Benzema vendos barazimin në të 27’ pas një goditje nga këndi. Pjesa e parë mbyllet në barazim, teksa në të dytën Reali tenton pa fund, por goli mungon duke nervozuar edhe Ronaldon që largohet me të kuq, pas një gjesti jo sportiv ndaj Edimar. Kur u duk se gjithçka po shkonte drejt barazimit, Bale fiton një penallti duke shndërruar vetë në gol dhe mbyllur llogaritë.



d.b/shqiptarja.com