"Balili", zbardhet mbledhja e
Këshillit të Sigurisë/DiskutimetFoto/Llalla i zymtë, Meta-Kodheli të buzëqeshu

Këshillit të Sigurisë/DiskutimetFoto/Llalla i zymtë, Meta-Kodheli të buzëqeshu">
Presidenca ka zbardhur mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurisë Kombëtare nën drejtimin e kreut të shtetit, Bujar Nishani, për çështjen e Kelmend Balilit. 
 
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë zgjati dy orë, ndërsa u kërkua nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, për të diskutuar, analizuar dhe koordinuar veprimet dhe përpjekjet lidhur me çështjen “Balili” si dhe në luftën pakompromis ndaj fenomenit kriminal të trafikut të lëndëve narkotike në vendin tonë.
 
Presidenti i Republikës, thuhet në njoftim, theksoi që në fillim se shqetësimi i ngritur është serioz, legjitim, i nevojshëm për të nënvizuar më fort angazhimin dhe bashkërendimin e veprimeve të agjencive ligjzbatuese të lidhura drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare.
 
Çështja ‘Balili’, përtej nivelit kombëtar i tejkalon përmasat individuale të rastit në fjalë, sepse ajo është shtrirë dhe ka marrë përmasa të zgjeruara gjeografike në disa shtete fqinje dhe aleate dhe për këto arsye, mbledhja e sotme u thirr pikërisht për të diskutuar, përcaktuar dhe këshilluar mbi hapat e marrë, ndjekjen dhe vijueshmërinë e veprimtarive institucionale të agjencive ligjzbatuese lidhur me hetimin e mëtejshëm të saj” – ka thënë Presidenti Nishani.
 
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, vijon njoftimi i Presidencës, në diskutimin e tij, argumentoi kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar me faktin se rasti konkret përbën jo vetëm një shqetësim të madh publik me ndjeshmëri të lartë, por ai ka tërhequr edhe vëmendjen e aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe agjencive ndërkombëtare ligjzbatuesve, duke ngritur pikëpyetje për seriozitetin e institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomenit të trafikimit të drogës, duke dëmtuar njëkohësisht edhe imazhin e vendit tonë.
 
Më pas, thuhet në njoftim, të pranishmit referuan dhe diskutuan lidhur me veprimet institucionale dhe koordinimin sa më të mirë të të gjitha agjencive ligjzbatuese në bashkëpunimin edhe me partnerët ndërkombëtarë për të luftuar në mënyrë sa më efektive krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.
 
Presidenti Nishani në përmbyllje, vuri në dukje rëndësinë dhe domosdoshmërinë e mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, duke vlerësuar nismën e marrë nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Meta si dhe falënderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre produktiv dhe konstruktiv.
 
“Çështja e diskutuar paraqitet shumë problematike dhe komplekse dhe me rrezikshmëri të lartë jo vetëm për mungesën e deri më tanishme të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit, trafikut të narkotikëve, pastrimin e parave duke ndikuar edhe në imazhin e shtetit shqiptar, por vetë faktin që edhe partnerët tanë dhe agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese janë interesuar për zgjidhjen sa më të shpejtë të saj dhe kanë shprehur shqetësimin disa herë, ilustron përmasat e mëdha që ajo mbart jo vetëm duke cenuar sigurinë tonë kombëtare duke kapërcyer edhe kufijtë e vendit tonë. Kjo mbledhje ishte e domosdoshme dhe e rëndësishme, sepse ajo u fokusua jo vetëm te rrezikshmëria e fenomenit të narko-trafikut, por edhe te nevoja për një koordinim sa më të mirë e të efektshëm dhe rrijes së përgjegjshmërisë së të gjitha institucioneve ligjzbatuese në raport me përgjegjësitë e tyre institucionale” – u shpreh Presidenti Nishani.
 
Këshilli i Sigurisë 2 orë debat me dyer të mbyllura
Ka zgjatur rreth 2 orë mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Presidencë ku është debatuar gjatë mbi Kelmend Balilin, i konsideruar nga drejtësia greke si, ‘Eskobari i Ballkanit’.

Mbledhja pa praninë e kryeministrit nisi në orën 12:15 minuta në drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, u zhvillua me dyer të mbyllura pa praninë e medias.
 
Interesante ishte mënyra sesi u ulën anëtarët e Këshillit të Sigurisë dhe mimikat e fytyrës se gjithsecilit. Më serioz nga të gjithë ishte kryeprokurori Adriatik Llalla, ndersa vihen re te buzëqeshur ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe iniciatori i mbledhjes, kryeparlamentari Ilir Meta.

Takimi u zhvillua me kërkesë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i cili kërkoi një analizë mes institucioneve për veprimet dhe mos veprimet që kanë sjellë mos arrestimin e të shumëkërkuarit Kelmend Balili.

Anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare janë: Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes, Ministri Punëve të Jashtme, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Brendshëm Ministri i Financave, Ministri i Transportit, Ministri i Energjisë, Kryetari i komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
 
Por kryeministri Rama dhe ministri i Transportit Dervishi nuk ishin të pranishëm, pasi ndodhen jashtë vendit në vizita zyrtare.

Rama ndodhet në një vizitë në Kosovë dhe njoftoi se nuk merr pjesë, ndërsa kërkoi dje që në vendin e tij të ishte Niko Peleshi, por Presidenca refuzoi të pranojë autorizimin e zv/kryeministrit Peleshi për të marrë pjesë në mbledhje.
 
Presidenca në letrën e dërguar Kryeministrisë arsyetonte se Rama duhet të ishte i pranishëm vetë në mbledhje nisur nga specifika e diskutimit.

Kelmend Balili cilësohet nga mediat greke si "Eksobari i Ballkanit". Në muajin Dhjetor te vitit 2016, Policia e shpalli zyrtarisht në kërkim dhe angazhoi mbi 200 forca policore që krehën zonën e jugut. Kontrolle pati dhe në familjen Balili në Sarandë.
 
Aktualisht ndaj Balili rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës, krijimi i grupit të strukturuar kriminal, pastrimit të parave si dhe kultivimi narkotikëve.
 
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka punuar mbi dosjen hetimore të palës greke dhe sipas tyre ka prova të mjaftueshme të cilat lidhin Balilin me trafikun ndërkombëtar të drogës.

[gallery]20890[/gallery]
Zhvillimet nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Ora 14:15 Përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurisë, nuk jepet asnjë prononcim per mediat.

Ora 12:15 Të pranishëm të gjithë drejtuesit, përveç kryeministrit Rama dhe ministrit të Transportit Dervishi, nis mbledhja e sigurisë

Ora 12:05 Hyn në Presidencë edhe Ministrit Bushati, pritet nisja e mbledhjes

Ora 12:02 Futet në Presidencë edhe Kryeprokurori Llalla

Ora 12:00 Mbërrijnë edhe Ministri i Financave Ahmetaj dhe kreu i komisionit të Sigurisë Braho

Ora 11:50 Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i pari që arrin në Presidencë

Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit Kombëtar janë:
Kryetari i Kuvendit;

Kryeministri;

Ministri i Mbrojtjes;

Ministri Punëve të Jashtme;

Ministri i Drejtësisë;

Ministri i Brendshëm

Ministri i Financave

Ministri i Transportit

Ministri i Energjisë

Kryetari i komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;

Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS