Balla e deklaroi këtë gjatë një takimi me Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik amerikan NDI, Robert Benjamin, dhe Drejtorin e Programeve të Partive Politike të NDI në Washington, Ivan Doherty.
Zyrtarët e lartë diskutuan ndër të tjera për bashkëpunimin e ngushtë mes PS dhe Institutit Demokratik amerikan. Parmes një njoftimi në “Facebook”, Balla tha është socialistët vlerësojnë maksimalisht asistencën dhe këshillimin e ekspertëve të NDI në përgatitjen e drejtuesve të rinj dhe në rritjen e transparencës së financimit të partive politike.
“Në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste pata kënaqësinë të prisja në një takim Drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik amerikan NDI, zotin Robert Benjamin, dhe Drejtorin e Programeve të Partive Politike të NDI në Washington, zotin Ivan Doherty.
Partia Socialiste e Shqipërisë prej 15 vitesh ka një bashkëpunim shumë të ngushtë me Institutin Demokratik amerikan dhe ne vlerësojmë maksimalisht asistencën dhe këshillimin e ekspertëve të NDI në përgatitjen e drejtuesve të rinj dhe në rritjen e transparencës së financimit të partive politike.
Në takimin e zhvilluar me drejtuesit e lartë të Institutit Demokratik u vlerësua fakti që Partia Socialiste ka standardin më të lartë të transparencës financiare në Shqipëri, bazuar në një strukturë auditimi tërësisht të pavarur dhe profesionale. Shumë shpejt një delegacion i Partisë Socialiste do të vizitojë zyrat qendrore të Institutit Demokratik amerikan në Washington për të diskutuar dhe nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi mes PS dhe NDI”, shkruan Balla.
Ndërkohë, po ditën e sotme delegacioni NDI i kryesuar nga Robert Benjamin u takua dhe me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku ky i fundit shprehu shqetësimin e kanabisit në vendin tonë, duke e cilësuar atë një projekt elektoral të kryeministrit Edi Rama.
d.c./shqiptarja.com












