TIRANE- Deputeti socialist Taulant Balla ka reagur pas ngjarjes së ndodhur pasditën e sotme gjatë prishjes së një ndërtimi pa leje, pranë shkollës “Andon Zako Çajupi”. Në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, Balla e ka quajtur “të turpshme” ngjarjen e ndodhur ditën e sotme.
 
“Florenci i Lulit rreh një qytetar. Në Tiranë mirë që nuk ka ujë, por edhe kur do me hap pompën e ujit të rrahin inspektorët e Lulit. Një ngjarje e turpshme është bërë publike sot lidhur me dhunën e papranueshme të ushtruar nga Inspektoriati i Ndërtimit të Lulit të Saliut. Gjoja në emër të prishjes së ndërtimeve pa leje, Florenc Hoxha vazhdon të sillet rrugaçërisht në rrugët e Tiranës. Në fakt ky person, Florenc Hoxha, është edhe sekseri kryesor i ndëtimeve pa leje në Tiranë. Janë të shumtë qytetarët që dëshmojnë për ryshfete të paguara kundrejt tij dhe kunatit, me ëllim lejimin e ndërtimeve pa leje”, shkruan Balla.
 
Ndërsa ka vendosur theksin tek të drejtat e çdo qytetari për të mos u dhunuar, Balla tha se “qytetari duhet të dhunojë në Prokurori dhunuesit e Florenc Hoxhës të cilët dhunuan qytetarin”.
 
“Askush në Shqipëri nuk ka të drejtë të dhunojë qytetarët. Në raste kundravajtjesh, Ligji është i qartë për ndëshkimet. Por Ligji nuk është dhunë dhe rrugaçëri. Qytetarët që dhunohen nga punonjës shteti duhet të denoncojnë dhunuesit. Edhe për rastin e sotëm, i bëj thirrje qytetarit të denoncojë në Prokurori dhunuesit e Florenc Hoxhës”, reagon deputeti socialit, Taulant Balla.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)