Balla i kujton PD-së rastin ‘Basha’:
Çfarë bëmë ne me Tahirin 

Balla i kujton PD-së rastin ‘Basha’:<br />Çfarë bëmë ne me Tahirin <br>
Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, ka komentuar vendimin e Kuvendit për të rrëzuar kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit. Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se PS nuk do të bëhet kurrë mburojë e askujt përballë drejtësisë, por as nuk do të lërë gjë pa bërë që në emër të drejtësisë të mos griset Kushtetuta e të mos poshtërohen deputetë.

Duke sjellë në vëmendje çështjen e Lulzim Bashës, kur ai ishte nën hetim, deputeti socialist tha se PD e bëri atë ministër të Brendshëm vetëm që të intimidonte hetimet, ndërsa PS e largoi Tahirin nga anëtar partie apo dhe funksionet e saj, në mënyrë që ai të mos ketë asnjë mburojë politike në përballjen me drejtësinë.

"E dyta, pas falenderimit për ju, dua të falenderoj përzemërsisht të pesë anëtarët e Komisionit të Mandateve dhe të Rregullores, përfaqësues të Partisë Socialiste për avokatinë pa asnjë të metë që i bënë jo Saimir Tahirit,- ne nuk bëmë avokatinë e kolegut Saimir Tahiri,- por të vizionit dhe vullnetit tonë për drejtësinë e bazuar tërësisht në kushtetutë e në ligj. E dua ta theksoj shumë qartë sot: Partia Socialiste nuk ka për t’u bërë kurrë mburojë e askujt përballë drejtësisë. Por, ama, ne s’kemi për të lënë asgjë pa bërë që në emër të drejtësisë të mos griset kushtetuta e të mos shqelmohet ligji, e të mos poshtërohen deputetë, kryetarë bashkish, nëpunës shteti apo edhe qytetarë të zakonshëm për agjenda apo skenarë politikë.

Ne vendosëm një standard të ri në politikën shqiptare – në çdo rast shumë i ndryshëm nga ai që keni bërë ju. Kur Prokuroria ka vendosur në hetim një ofiqar të partisë tuaj, ju jeni bërë të gjithë rresht për t’i dalë në mbrojtje. Kur Prokuroria kërkonte heqjen e imunitetit të Lulzim Bashës, dy muaj Këshilli i Mandateve nuk merrte dot vendim se nuk e linte bariu delen të hynte në hetim. Dy muaj! Ju! Për më shumë se kaq, gjatë kohës që ishte në hetim e kaluat nga Ministër i Jashtëm në Ministër të Brendshëm, vetëm e vetëm për të intimiduar hetimet. Është i vetmi hetim në Shqipëri që ka mbaruar, ku një person është gjetur fajtor në dosjen e Prokurorisë. E vetëm pse dosja shkoi në gjykatë disa ditë me vonesë, ajo dosje nuk është hetuar. Ky është dallimi ndërmjet nesh dhe jush.

Ne e kemi thënë shumë qartë ditën e hënë: kolegu Saimir Tahiri nuk është më as anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste; nuk është më as një funksionar në të gjitha funksionet strukturore të Partisë Socialiste, por është një deputet i lirë, i cili përballë drejtësisë të mos ketë asnjë lloj mburoje politike. Ky është standardi që ne kemi vendosur.

Duhet ta themi shumë qartë, që me alibinë se po luftohet krimi e korrupsioni, me justifikimin se nuk ka prova,- s’ka problem se ish Ministër i Brendshëm është, politikan po e po; ky, për shkak të standardit që keni vendosur ju, duhet të jetë domosdoshmërisht edhe i korruptuar, edhe i inkriminuar. Se nuk ka shpjegim tjetër që dosja, që data e daljes së urdhër-arrestit të njoftohet përpara nga Lulzim Basha sesa të njoftohet nga Prokuroria e Përgjithshme. Merrni procesverbalet e Kuvendit! E ka njoftuar një javë përpara këtu në këtë sallë Lulzim Basha, se kur do të dalë urdhër-arresti. Puna juaj.

Por, miqësisht, sot në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, nëse doni që kjo çështje të hetohet, nëse realisht doni që kjo çështje të zbardhet, heshtni,  mbyllni gojën dhe lëreni drejtësinë të flasë për këtë çështje. Por një gjë është e sigurt: dje foli drejtësia italiane!", deklaroi Balla.

d.c./shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji

Keni kollë gjatë natës? Ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji