Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, pa nga afër ecurinë e punimeve për një projekt të rëndësishëm urbanizimi në qytetin e Rrogozhinës, investim i cili synon transformimin e një zone që prej vitesh kishte mbetur pas dore.

Gjatë inspektimit në terren, Balla u shpreh se projekti do t’i japë lagjes standarde moderne infrastrukturore, duke përfshirë rrugë të gjera, sistemim të avllive sipas një projekti unik, si dhe ndërtimin e rrjeteve të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha.

“Ky projekt do t’i japë kësaj zone pamjen e një qyteti modern, me rrugë të gjera dhe të gjitha shërbimet e nevojshme. Kërkohet edhe mirëkuptimi i banorëve, pasi rruga do të ndërtohet sipas standardeve, me gjerësi 7 metra”, u shpreh Balla.

Ai bëri të ditur se shumë shpejt, në kuadër të programit “Rilindja Urbane 2.0”, do të nisë edhe një tjetër projekt urbanizimi në lagjen e stacionit të trenit, duke vijuar investimet që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së jetës për banorët.

Sipas Ballës, punët në Rrogozhinë jo vetëm që nuk do të ndalen, por do të shtohen, me synimin për të përmbyllur transformimin urban të të gjithë qytetit dhe për ta bërë atë një model zhvillimi modern.