Balla: Mjaft më me historitë ku
inspektoratet janë bërë si kuçedra

Balla: Mjaft më me historitë ku<br />inspektoratet janë bërë si kuçedra
Drejtuesi politik i PS në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 25 Qershorit, Taulant Balla, i shoqëruar nga deputetja Evis Kushi dhe kryetari i bashkisë Qazim Sejdini zhvilluan një takim elektoral me banorët e Rajonit nr. 3 në qytetin e Elbasanit.

Balla: Saliu vinte në Elbasan për të ngrënë ballokume 
Në bashkëbisedimin që pati me banorët e kësaj lagjeje, deputeti Balla theksoi punën e shkëlqyer që është bërë në këtë qytet nën drejtimin  e kryebashkiakut Sejdini.
  
“Nuk e kishte Sali Berisha kurrë në hartë Elbasanin. Vinte në Elbasan vetëm për të bërë qokën e Ditëverës e për të ngrënë ndonjë ballokume; atë ia japim me qejf, të vijë ta hajë sa herë të dojë, po votë më nuk ka për Saliun e për Lulin. Me paturpësinë më të madhe guxojnë të shajnë punën e kryebashkiakut të Elbasanit. Kanë ikur nga Elbasani natën e vijnë natën, e guxojnë të hedhin baltë mbi punën e shkëlqyer që është bërë në këtë qytet.

Ne e dimë që kemi bërë shumë punë dhe që kemi shumë për të bërë, por kemi shumë për të humbur nëse kthehemi mbrapa, prandaj ne kësaj radhe duhet të dimë të vlerësojmë gjithçka që kemi arritur në Elbasan, gjithçka që kemi arritur në qeverisjen qendrore, por gjithçka që kemi arritur e nisëm nga një pikë shumë e vështirë. Nuk duhet të harrojmë, se në rast se nuk do t'i kishim gjetur borxhet që na la Saliu, ne do të kishim bërë 4 herë më shumë investime në Elbasan sesa bëmë. Na u deshën plot tre vjet për të larë borxhet, dhe ky është viti i parë buxhetor ku ne nuk lajmë borxhe të Saliut. Po punojmë për gjeneratën tjetër, punojmë për Shqipërinë që duam",
tha Balla.
  
Më tej Balla u ndal tek Reforma në Administratë, e cila sipas tij do t'i japë fund emërimeve politike, do të rikthejë meritokracinë dhe administrata më në fund do të jetë në shërbim të qytetarëve.

“Siç punuam për Vettingun, do të punojmë për ta shpëtuar administratën publike nga emërimet e partive; por do ta bëjmë administratën institucion, ku të prevalojë merita dhe profesionalizmi. Mjaft më kësaj historie që inspektoratet janë bërë si kuçedra, shkojnë cep më cep e vendosin gjoba e përdoren për fushata elektorale me paturpësi", u shpreh ai.             
 
Në mbyllje të fjalës së tij, Balla u shpreh i bindur se qytetarët e Elbasanit do të dinë t'i shprehin mirënjohjen Edi Ramës për të gjitha investimet e kryera, por gjithashtu edhe besimin për të vijuar më tej, i vetëm në timonin e qeverisë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vijon zjarri në Shëngjin, Report Tv sjell pamjet

Vijon zjarri në Shëngjin, Report Tv sjell pamjet