Balla: PD nxit qytetarët mos paguajnë
detyrimet, por duhet barazi për të gjithë

Balla: PD nxit qytetarët mos paguajnë<br />detyrimet, por duhet barazi për të gjithë
TIRANE- Partia Socialiste ka akuzuar sot Partinë Demokratike se po i bën thirrje qytetarëve të mos paguajnë energjinë e konsumuar apo faturat e prapambetura. Në një deklaratë për mediat, deputeti Socialist Taulant Balla, njëherësh nënkryetar i Grupit Parlamentar të PS, tha se të gjithë duhet të paguajnë detyrimet e energjisë, në mënyrë që të mos përfitojnë ata që nuk e paguajnë në kurriz të atyre që shlyejnë detyrimet. Balla tha se ndryshe nga qeveria e kaluar, qeveria Rama-Meta është e vendosur për të vendosur ligjshmërinë dhe barazinë.
 
“Partia Demokratike vazhdoi sot të bëjë zëdhënien e anarkisë dhe të moszbatimit të ligjit, duke bërë thirrje që qytetarët të mos e paguajnë as energjinë e konsumuar, as borxhet e energjisë. Është e drejta e tyre të mbeten ata që ishin kur shqiptarët i nxorën jashtë nga zyrat e shtetit dhe të mos ndryshojnë asgjë tjetër përveç selisë. Pyetja që duhet përsëritur sot është: A është e drejtë që energjia të vazhdojë të paguhet nga shumica dhe të mos paguhet nga disa të tjerë? A do ishte e drejtë që të ndershmit dhe të rregulltit të paguajnë edhe për faturën e hajdutëve apo borxhlinjve ndaj shtetit? A ka të ardhme të sigurt, pa siguruar barazinë para ligjit dhe pa kontribuar secili sipas detyrimeve të tij për mbarëvajtjen e punëve të këtij vendi?
 
Partia Demokratike mund të mbetet gjithë jetën po të dojë mishërimi i pabarazisë para ligjit dhe i kulturës së degjeneruar politike të shtetit që drejtoi e rrënoi për vite të tëra kur Luli dhe Saliu ishin në qeveri. Por, qeveria e re shqiptare duhet mbështetur dhe inkurajuar që të shkojë më tutje me vendosmëri e kurajo, për vendosjen e ligjshmërisë e të barazisë së të gjithëve në raport me ligjin. Të gjithë ata që konsumojnë energji, duhet ta paguajnë atë dhe nuk ka njeri normal në botën normale që të argumentojë të kundërtën, mospagimin”, tha Balla.
 
Ndërkaq, deputeti socialist është ndalur edhe tek vendimi i qeverise për të ulur me 80 % kamatëvonesën për të gjithë ata që do të shlyejnë faturat e prapambetura të energjisë deri më 28 shkurt.
 
“Partia Socialiste e përshëndet edhe vendimin e djeshëm për të nxitur pagesën e menjëhershme të borxhit duke ulur 80% të kamatëvonesës, apo për të lehtësuar pagesën e borxhit në këste për borxhlinjtë që duan të futen në sistem duke i dhënë fund qëndrimit të tyre jashtë zonës së ligjshmërisë. Ka kaluar pak më shumë se 1 vit nga momenti kur qeveria e PD-së humbi me turpin e merituar zgjedhjet e 23 qershorit. Një vit më pas është qesharake që pushtetarët e rrënimit të djeshëm, të bëjnë moral e të japin leksione sot për varfërinë, papunësinë, krimin, korrupsionin apo plagën e hapur në CEZ-in e djeshëm dhe OSHEE-në e sotme”, u shpreh deputeti Balla.
 
Më tej deputeti socialist bëri një krahasim me qeverisjen e kaluar sa i përket abuzimeve, zbatimit të ligjit, punësimit, apo edhe zhvillimit ekonomik.
 
“Kush e solli CEZ-in në Shqipëri? Pikërisht këta që sot gjejnë kurajon të flasin. Të paktën për këtë çështje mos të flasin më, sepse nuk kanë as të drejtë e as moral. Kush e inkurajoi vjedhjen e energjisë për vota dhe kush e zhyti në gropën e gjithë këtyre borxheve sistemin elektroenergjitik? Po këta që sot flasin.
 
Kush e katandisi Shqipërinë në vendin e treguar me gisht si vendin ku sundon kultura e pandëshkueshmërisë? Qeveria e SHQUP-it apo jo? Ndaj sot, kur ka kaluar veç pak më shumë se 1 vit nga zullumet që u bënë për tetë vjet rresht dhe që vazhdojnë të paguhen përditë nga shqiptarët, këta as mund të bëjnë budallain, as mund t’i marrin shqiptarët për budallenj!
 
Sot kemi një ekonomi të kthyer në rrugën e rritjes së qëndrueshme, të certifikuar nga FMN-ja me rritje mbi 2%, ndërkohë ekonomia që na lanë trashëgimi ishte e zhytur në borxhe. Sot kemi 81 mijë vende të reja e të formalizuara pune, ndërkohë në 8 vjet Partia Demokratike krijoi 1 milionë të papunë për të cilët mori 1 milionë shuplakat e merituara më 23 Qershor. Sigurisht ka ende shumë punë për të bërë, sikundërse është ende herët për të pretenduar nga qeveria e re, në pak më shumë se një vit pune, gjithçka që qeveria e SHQUP-it nuk diti të bëjë në plotë tetë vjet”, tha Balla.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

VIDEO-LAJM/ Ezani i parë pas përurimit të Xhamisë së Namazgjasë! Imami Kalaja publikon pamjet nga brenda, bie në sy arkitektura mjeshtërore

VIDEO-LAJM/ Ezani i parë pas përurimit të Xhamisë së Namazgjasë! Imami Kalaja publikon pamjet nga brenda, bie në sy arkitektura mjeshtërore