TIRANE- Ekonomia e familjeve shqiptare është dobësuar ndjeshëm, dhe të ardhurat e tyre janë shumë të ulëta. Kështu është shprehur deputeti i PS-së, Taulant Balla, në një dalje për mediat në kuadër të nismës “100 arsye për të mos votuar Berishën”. Balla vuri theksin në nivelin e ulët të të ardhurave, papunësinë e lartë dhe kostot e larta të jetesës, por nuk munguan dhe akuzat ndaj familjes Berisha.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, shqiptarët duhet ta kenë të qartë se ndërkohë që buxhetet e tyre rrënohen dita-ditës, vetem familja në pushtet pasurohet. Kjo e shndërroi shtetin në një pushtet familjar, në përbushje të interesave klienteliste dhe familjare. Ky pushtet e braktise familjen shqiptare në mëshirë të fatit, dhe sot iu kërkon votën për të mbajtur pushtetin. Në vend janë 1 milionë të papunë, ndërsa varfëria është deri 60 %, më e larta në rajon.”, tha Balla.

Më tej, deputeti socialist u shpreh se “familjet shqiptare fitojnë vetëm 36 lekë në ditë për çdo pjesëtar”, ndërsa shtoi se “çmimet e ujit dhe ushqimeve janë dyfishuar”.

Balla tha se Partia Socialiste në programin e saj fokusohet në familjen e çdo shqiptari, sigurimin e vendeve të punës, garantimin e drejtësisë sociale, sigurisë, rendit publik, si dhe në përmirësimin e shërbimeve.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)