“Vlerësim maksimal për gjithçka që po bën Gjermania për çështjen e refugjatëve dhe për ruajtjen e vlerave të BE” ka thënë Balla.
Balla ka folur edhe për politikbërjen e deputetëve gjermanë, të cilët sipas tij lënë mënjanë çdo interes personal a politik, për hir të interesit të popullit dhe atë të Bashkimit Europian.
“Përsa i përket diskutimit se Evropës aktualisht i mungojnë liderët: ndoshta në vendet e tjera evropiane ka mungesë lidershipi. Po kjo nuk vihet re në Gjermani" ka thënë Balla.
Në një intervistë për DW, Balla ka sjellë në mendje sfidat që e presin BE në 2016-ën: jo vetëm vazhdimi i pritshëm i krizës së refugjatëve. Por edhe referendumi britanik për qendrim apo dalje nga BE; si edhe zhvillimet me Front National në Francë.
"Do të doja të citoja që mocioni i përgatitur në Kongres i bën thirrje çdo evropiani, që nëse ne duam të jetojmë më mirë dhe të kemi një të ardhme të përbashkët të begatë, duhet ta mbajmë të fortë BE. Në kontekstin e ri të krijuar brenda BE, një prej partive kryesore që bashkëqeveris Gjermaninë, SPD, e ka vendosur forcimin e BE në krye të diskursit politik. Unë ndihem mirë që një nga partitë kryesore të BE mbështet BE dhe integrimin evropian," u shprehet Balla.
Për të, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një përfitim për këtë të fundit, sidomos në aspektin e krizës së refugjatëve.
“Për Gjermaninë do të kishte qenë më e lehtë të përballohej edhe kriza e refugjatëve, nëse vende si Shqipëria, Maqedonia apo Serbia etj, do të ishin vende të BE. Kjo sepse një pjesë e refugjatëve do të ishte ndaluar, do të ishin strehuar në Maqedoni, në Serbi apo në Shqipëri, pa qenë e nevojshme që të mbërrinin deri në Gjermani" ka thënë Balla.
Ai ka folur ehde mbi opozitën në Shqipëri, ku edhe Zëvendëspresidenti i Grupit Socialist dhe Socialdemokrat në Parlamentin Evropian, Kurt Fleckenstein tha se protesta e dhunshme ishte një zhvillim negativ, sidomos për Partinë Demokratike.
"Rruga për të kërkuar hetimin e akuzave për korrupsion dihet, është vajtja në prokurori dhe nëse kanë akuza t'i çojnë aty. Ajo që është e dëmshme është gjuha që ka përdorur kryetari i PD, nga kryetari de facto i PD, Sali Berisha, po sot edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD, një gjuhë fyese, e papranueshme për një vend që synon anëtarësimin në BE" ka deklaruar Balla.
Si një nga përfaqësuesit kryesorë të PS të Shqipërisë, Taulant Balla po ndjek në Berlin njërin nga kongreset më të rëndësishme të socialdemokratëve gjermanë.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)