Kryetari i Grupit Parlamentarë të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë ditës së sotme ka parë nga afër gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet Qendra Shëndetësore në Gostimë të Cerrikut, ku marrin shërbim shëndetësor 12 mijë e 500 banorë. E lënë më harresë prej 20 vitesh me radhë, kjo qendër shëndetësore është amortizuar totalisht dhe është e përfshirë nga lagështira si dhe mungojnë aparaturat e nevojshme mjekësore për të ofruar shërbimit shëndetësor. Nisur nga gjendja në të cilën ndodhet kjo qendër shëndetësore, Balla i premtoi banorëve dhe stafit mjekësor se brenda vitit kjo qendër do të rikonstruktohet totalisht dhe do të pajiset me aparatura të reja mjekësore.
/Shqiptarja.com
“Së bashku me deputetin Luan Duzha pamë nga afër gjendjen e kësaj Qendre Shëndetësore dhe pasi u konsultuam edhe me personelin mjekësor gjykuam se ndërhyrja këtu është emergjente dhe duhet të bëhet brenda këtij viti. Në këtë Qendër Shëndetësore marrin shërbim 400-450 pacientë çdo muaj, pra gati 5 mijë pacientë në vit duke bërë domosdoshmëri jo vetëm rikonstruksionin, por edhe pajisjen me aparaturat mjekësore të nevojshme”, u shpreh Balla. Sipas Ballës, në Qendrën Shëndetësore të Gostimës trajtohen aktualisht 1135 fëmijë, 0-14 vjeç, të cilët janë të përfshirë në kalendarin e vaksinimit.
d.b/shqiptarja.com











