Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla propozoi datën 14 maj për zhvillimin e mocionit me debat për raportin e DASH sa i përket klimës së investimeve në Shqipëri, ndërsa opozita kërkon që debati të zhvillohet menjëherë.
Ndër të tjera Balla replikoi dhe me PD të cilët i cilësoi si ‘dashnorët e rinj’ të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke u thënë se prej shtatorit kur ka nisur legjislatura e re, nuk kanë dhënë asnjë votë pro ligjeve që kanë kaluar në Kuvend sa i përket procesit të anëtarësimit në BE.
“Për të qenë të vërtetë në ato që themi, nuk duhet të marrim përsipër të themi gjëra kur kemi ikur nga salla. Tabaku nuk ka qëndruar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve deri kur kemi rënë dakord për kalendarin. Është larguar për punët e veta, por të paktën, kur të dalësh këtu, të thuash të vërtetën. Nuk kemi diskutuar për çështje të propozimit për ndryshime të rregullores, por vetëm për detyrimin që ka Kuvendi që menjëherë, sapo GJK të zbardhë vendimin e saj. GJK është në shkelje të ligjit, sepse brenda 30 ditësh duhet ta kishte zbardhur vendimin. Nuk kemi hyrë te propozimet për ndryshimet në rregullore. Kemi rënë dakord me Tabakun për kalendarin, është në procesverbal dhe është e papranueshme të vish këtu dhe të thuash që s’kemi rënë dakord.
Sa i përket mocionit me debat, jam dakord që duhet të ishte zhvilluar. Në nëntor të vitit të kaluar, në Konferencën e Kryetarëve, kemi rënë dakord që të bëjmë një bashkim të dy çështjeve: raportin e DASH dhe mocionin me debat që lidhet me nenin 18 për ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit. Padyshim që bie dakord që edhe ju edhe ne na ka kaluar afati i përcaktuar, por nuk është e vërtetë që qeveria nuk ka raportuar fare sa i përket procesit. Unë thashë ta bëjmë ose më 7 apo 14 maj; ju e doni menjëherë, për këtë duhet të votohet.
Ju thoni që mazhoranca u ka mohuar të drejtën që ju të sillni iniciativa ligjore. Jemi të gatshëm t’ju miratojmë edhe ju propozime, por jo me dhunë e forcë. Nëse doni që të vini t’ua miratojmë ne, e para duhet të vini të na i prezantoni, t’i diskutojmë e t’i miratojmë. Sot ju, dashnorët më të rinj të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, do t’ju jap një fakt: e keni filluar këtë legjislaturë në fund të shtatorit dhe prej asaj dite, në 23 ligje, në asnjërin prej tyre nuk gjendet asnjë votë pro nga ju. Këto lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Presione nuk hamë. Ju jeni përjashtuar vetë nga procesi i integrimit. Nuk keni gjetur asnjë arsyetim për t’i thënë popullit përse nuk i votoni ju ligjet. Mocioni me debat të zhvillohet më 14 maj”, tha Balla.
Lajmi kryesor:
LIVE - Kuvend/ Rrëzohen nismat e PD, refuzohet interpelanca me kryeministrin Rama! Balla: Me dhunë s’i miratojmë, nuk e hamë presionin










