Balla 'skanon' punën e policisë në Dibër e Kukës: Pikat e kalimit kufitar të jenë nën administrimin e Ministrisë së Brendshme! Duhet qasje e re

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh sot pas analizës vjetore në drejtoritë vendore të policisë Dibër dhe Kukës se po punohet për një qasje të re në pikat e kalimit kufitar, prandaj siç deklaroi ai do të propozojë në Këshillin e Ministrave që t'i marrë nën administrim Ministria e Brendshme.

“Tani dua të ndaj me ju, informacionin se ne po punojmë për një qasje të re në pikat e kalimit kufitar. Ministria e Brendshme do të propozojë në Këshillin e Ministrave disa vendime që lidhen me marrjen në administrim nga Ministria e Brendshme të të gjitha pikave të kalimit kufitar, për t’i dhënë fund historisë së lloj-lloj ndërtimesh, që gjenden afër “buffer zone” të pikave të kalimit kufitar, me qëllim po ashtu, përmirësimin e të gjitha shërbimeve që ofrohen në PKK, qoftë nga policia kufitare, qoftë nga dogana shqiptare, apo nga institucionet e tjera publike. Kështu që në këtë aspekt, edhe kjo pikë e rëndësishme e kalimit kufitar, siç është Bllata për mua është e rëndësishme dhe do të ketë vëmendjen tonë edhe në përmirësimin e të gjitha shërbimeve që ofrohen në këtë pikë për të shkurtuar, sikurse e nënvizuat me të drejtë, kohën e përpunimit. Atë që kemi bërë në Qafë-Thanë, në komunikim me kolegët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ta bëjmë edhe në këtë pikë të kalimit kufitar”, tha Balla.

Duke iu referuar pikëkalimit kufitar të Bllatës, Balla theksoi se kjo pikë do të ketë vëmendje edhe në përmirësimin e të gjitha shërbimeve që ofrohen në këtë pikë për të shkurtuar kohën e përpunimit. Ndërkaq  Balla vuri në dukje se gjatë javëve të fundit ka pasur dy raste të angazhimit të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Repartit të Policisë Alpine, për t’u ardhur në ndihmë turistëve, qofshin këta vendas apo të huaj, të cilët kanë kërkuar ndihmë nga ana e Policisë.

Komunikimi i plotë me mediat i ministrit të Brendshëm Balla:

Pyetje: Cila ishte arsyeja e vizitës dhe çfarë doli nga analiza vjetore në Drejtorinë e Qarkut Dibër?

Ministri Balla: Kemi bërë një analizë të përbashkët mes DVP Dibrës, Kukësit, por edhe të Kufirit, duke qenë se ka një ndërlidhje të madhe të problematikave mes të tre këtyre drejtorive. Mos harroni që mbulohen një numër i konsiderueshëm i pikave të kalimit kufitar dhe po ashtu edhe një sërë çështjesh që lidhen me krime kundër mjedisit apo problematika që lidhen dhe që unë e kam theksuar gjithmonë edhe në komunikime të tjera me ju, kryesisht me zbulimin e ngjarjeve kriminale të vjetra. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë që ngjarjet e vjetra kriminale janë burim për ngjarje të reja kriminale sikurse kemi pasur një rast në qarkun Dibër ku për shkak të një ngjarje të vjetër, është riaktivizuar një konflikt dhe na ka çuar në një ngjarje të re kriminale. Prandaj është shumë e rëndësishme. Kemi rakorduar edhe me institucionin e prokurorisë, të cilët gjej rastin t’i falënderoj në rastin e Dibrës, për bashkëpunimin e shkëlqyer, që kemi pasur në goditjen e një sërë aktivitetesh kriminale. Kemi në këndvështrim dhe nën vrojtim monitorimin tonë për grupe të caktuara kriminale, që zhvillojnë aktivitete në fusha të caktuara dhe po punojmë bashkë me prokurorinë për të goditur çdo lloj aktiviteti kriminal me një fokus sikurse e keni parë, edhe sa i përket kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke synuar që të garantojmë jo vetëm shkolla të sigurta, por edhe komunitete të sigurta dhe mos harroni se për shkak të qasjes në kufi me Republikën e Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, mos harroni se kemi një sërë aktivitetesh që lidhen me trafikimin apo me kontrabandimin, të cilat janë fokusi i punës tonë.

Pyetje: Duke qenë se e përmendët çështjen territoriale, a mendoni se Policia e Shtetit është e ngarkuar me shumë përgjegjësi, qoftë me kontrollin e territorit. Ka shumë ngarkesë?

Ministri Balla: Policia e Shtetit ka ngarkesën që i jep ligji. Dhe unë jam i sigurt që rritja çdo ditë e murit të besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit lidhet me faktin që Policia e Shtetit po i përgjigjet çdo ditë ndoshta edhe detyrave që nuk janë pjesë e detyrave funksionale të Policisë së Shtetit.

Ju jeni dëshmitarë, kemi pasur gjatë javëve të fundit, 2 raste të angazhimit të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Repartit të Policisë Alpine, për t’u ardhur në ndihmë turistëve, qofshin këta vendas apo të huaj, të cilët kanë kërkuar ndihmë nga ana e Policisë. Në fakt kjo si detyrë funksionale, nuk ka qenë më parë e parashikuar. Tashmë për shkak të angazhimit dhe të fokusit tone te turizmi për të garantuar siç i ka hije shqiptarit, një Shqipëri të sigurt. E vërteta është që sezoni turistik i vitit 2023, tregoi që Shqipëria jo vetëm po bëhet një kampione e turizmit në Ballkan, për shkak të bukurive të veta natyrore, për shkak të mikpritjes mbresëlënëse, por po aq mbresëlënëse është edhe siguria publike në të gjitha dimensionet e saj, përfshirë edhe pjesën  që lidhet me shembullin që unë dhashë, pra angazhimin e policisë në gjetjen dhe mbështetjen, ndihmën e parë ndaj çdokujt që kërkon ndihmë, ndërsa eksploron, shijon, bukuritë natyrore jo vetëm të Korabit, por të të gjithë alpeve shqiptare.

Pyetje: Duke parë se ka një rritje të madhe të numrit të mjeteve, rreth 50.000 mijë mjete më shumë në pikën e kalimit kufitar Bllatë, si pasojë e ndërtimit të Rrugës së Arbrit dhe numrit të turistëve, a keni parashikuar përshpejtim të procedurave edhe në doganën e Bllatës?

Ministri Balla: Tani dua të ndaj me ju, informacionin se ne po punojmë për një qasje të re në pikat e kalimit kufitar. Ministria e Brendshme do të propozojë në Këshillin e Ministrave disa vendime që lidhen me marrjen në administrim nga Ministria e Brendshme të të gjitha pikave të kalimit kufitar, për t’i dhënë fund historisë së lloj-lloj ndërtimesh, që gjenden afër “buffer zone” të pikave të kalimit kufitar, me qëllim po ashtu, përmirësimin e të gjitha shërbimeve që ofrohen në PKK, qoftë nga policia kufitare, qoftë nga dogana shqiptare, apo nga institucionet e tjera publike. Kështu që në këtë aspekt, edhe kjo pikë e rëndësishme e kalimit kufitar, siç është Bllata për mua është e rëndësishme dhe do të ketë vëmendjen tonë edhe në përmirësimin e të gjitha shërbimeve që ofrohen në këtë pikë për të shkurtuar, sikurse e nënvizuat me të drejtë, kohën e përpunimit. Atë që kemi bërë në Qafë-Thanë, në komunikim me kolegët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ta bëjmë edhe në këtë pikë të kalimit kufitar.

Pyetje: Ditët e fundit është arrestuar një person i shumëkërkuar në Dubai, a është ky një sinjal se pas vizitës suaj në Arabinë Saudite, do të goditen kokat e krimit, që fshihen në Dubai?

Ministri Balla: Për policinë e shtetit shqiptar nuk ka më asnjë territor, edhe jashtë vendit që të jetë i pa-aksesueshëm nga ana jonë. Ne kemi iniciuar, prej disa muajsh një nivel të ri bashkëpunimi me Interpolin dhe gjej rastin të falënderoj Interpolin, edhe në këtë rast, sepse falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Interpol Tirana dhe Interpol Abudabi, ne kemi arritur të identifikojmë dhe natyrshëm të ndalojmë një person shumë të kërkuar nga drejtësia shqiptare. I është dorëzuar palës së Emirateve edhe draft-marrëveshja, e cila do të mundësojë ekstradimet. Nuk kemi pasur një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe e shpresoj të ecim sa më shpejt me nënshkrimin e një marrëveshjeje për të mundësuar që çdo person i kërkuar nga drejtësia shqiptare, jo vetëm të ndalohet por edhe të ekstradohet. Gjatë javëve e muajve të fundit kemi pasur disa raste të rëndësishme suksesi, persona të cilët kanë qenë e mbeten në listën e personave në kërkim. Gjatë analizës së sotme jemi fokusuar edhe te personat në kërkim që rezultojnë në listën e DVP Dibër e Kukës.

Pyetje: RENEA ka kapur në Shkodër një person të rrezikshëm. A është e vendosur Policia e Shtetit të godasë në çdo cep të territorit shqiptar?

Ministri Balla: Sapo ju thashë që ne nuk po lëmë cep të botës. Sa i përket cepave të territorit shqiptar, të jeni të sigurt që Republika e Shqipërisë nuk asnjë territor te i cili ne nuk mund të ndërhyjmë. Ju falënderoj për pyetjen. Fakt është që DVP Shkodër, me mbështetjen e forcave të repartit RENEA, kanë kryer sot një operacion të rëndësishëm për vënien para drejtësisë së një personi me rrezikshmëri të lartë, mbi të cilin rëndojnë një sërë akuzash të rënda. Dhe vlerësoj performancën e forcave të policisë dhe të repartit RENEA në konkludimin me sukses të këtij operacioni. Ajo që vihet re është fakti që koha e rrjedhjes së informacionit, gjatë operacioneve policore, ka mbaruar. Rezultatet e fundit tregojnë që PSH po kryen operacione të rëndësishme me sukses të plotë.

Pyetje: Ka pasë pretendime nga disa artistë nga Kosova që janë keqtrajtuar nga policia në Kukës?

Ministri Balla: Ka qenë pjesë e diskutimit edhe në analizën që sapo kemi zhvilluar. Unë e kam thënë qëndrimin tim. Ndërsa, kur t’i takoj këta artistë kosovarë, t’u kërkoj ndjesë nëse kjo do të jetë e nevojshme, por mos harroni që bëhet fjalë për një operacion tepër të rëndësishëm të zhvilluar nga Policia e Shtetit në goditjen e një grupi kriminal i cili kishte trafikuar 46 kg, ose 203 kallëpe lëndë plasëse tritol. Në këtë aspekt, e para duhet vlerësuar puna e policisë. Nëse gjatë operacionit ka pasur ndonjë tejkalim të sjelljes e komunikimit nga oficerët e Policisë së Shtetit, kjo është diçka që do të dalë në fund të një hetimi që po zhvillon AMP.

Nga informacioni që unë kam deri tani, rezulton që kemi qenë brenda hapësirave të verifikimeve që bën Policia e Shtetit në rastet e personave për të cilët ka një sinjalizim policor, që buron nga inteligjenca policore.

Në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme që punonjësit e policisë, në komunikim me qytetarët, të jenë të sjellshëm, sepse uniforma e policisë, komunikimi i policisë, është komunikimi i shtetit. Dhe mirësjellja e tyre, është pasaporta më e mirë e marrëdhënies së shtetit dhe ligjit, me qytetarët.

Pyetje: Gjatë analizave që keni bërë në DVP në qarqe, a është matur perfomanca dhe a do të ketë ndryshime në struktura për ta përmirësuar aty ku kanë qenë më dobët?

Ministri Balla: Ne kemi një sistem vlerësimi performancën. Unë do të jem prezent në të gjitha analizat e drejtorive vendore, qoftë për vitin 2023, dhe nuk do të presim 2024-ën për të zhvilluar analiza, por do të zhvillojmë edhe analizat në fund të 6 muajve të parë të vitit. Besoj çdo drejtor vendor i di cilat janë objektivat.

Pyetje: A do të ketë ndonjë gjë konkrete për Ervis Martinin?

Ministri Balla: Kjo është një pyetje që më bëhet sa herë që kam mundësinë të komunikoj me ju dhe dua t’ju garantoj që jo vetëm për këtë ngjarje, por për çdo ngjarje të rëndë kriminale, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në bashkëveprim me të gjitha strukturat e varësisë së tij, qofshin në DPPSH apo në drejtoritë vendore, bëjnë një punë të përditshme për t’i shkuar në fund zbardhjes së çdo ngjarjeje kriminale.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?



×

Lajmi i fundit

U aludua se tatuazhi i Sarës i dedikohej Ledrit, ja si qëndron e vërteta

U aludua se tatuazhi i Sarës i dedikohej Ledrit, ja si qëndron e vërteta