TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi sot se ka nisur një proces negocimi me banorët e fshatit Polis në Librazhd për gjetjen e një zgjidhje, pas problemit te krijuar nga një leje koncesionare për ndërtimin e një HEC-i.

Përmes një statusi në rrjetin social ‘Facebook”,  Balla i kërkon Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë të rishikojë dokumentacionin dhe lejen e dhënë për HEC-in në Polis.

“Në rrethin e Librazhdit ka shumë leje konçesionare për ndërtime HEC-esh, të dhëna në kundërshtim me ligjin. Qeveria e kaluar ka dhënë leje korruptive, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës”, shkruan deputeti Balla, ndersa  fton policinë të ruajë dialogun me banorët.

Banorët e fshatit Polis të Librazhdit protestuan sot kundër ndërtimit të HEC-it në këtë zonë. Ata u shprehen se në rast se ndërtohet HEC-i, i gjithë uji i përdorur për sistemin e vaditjes së tokave bujqësore të fshatarëve përreth do të dëmtohet rëndë.

Redaksia online 
(ata/sg/shqiptarja.com)