TIRANE - Taulant Balla ka reaguar përmes një deklarate për mediat, pasi Grida Duma, kandidatja e PDsë për Bashkinë e Durrësit sot tha se PS po e akuzon atë si të inkriminuar nga paniku i humbjes.
 
Sipas Ballës fakti që Grida Duma është vetëshpallur akademike, nuk e bën atë të pafajshme.

Reagimi i plotë i Taulant Ballës 
Dëgjova shqetësimin e zonjës Duma e cila duke vetkonsideruar veten akademike, përjashton mundësinë që të jetë dhe e inkriminuar. Në të vërtet para se të na tregoj historinë e saj si akademike, zonja Duma të dëshmoj para shqiptarëve historinë e mashtrimit të saj dhe ortakut të saj në biznes ndaj qytetarëve, që u kanë shitur nga dy herë apartamente. Mashtrim për të cilin prokuroria i ka konsideruar fajtorë, duke vuajtur dënimin me burg partneri i saj, i cili është në cilësinë e administratorit të kompanisë.

Nëse zonja Duma kërkon të jetë transparente le t’u shpjegoj durrsakëve dhe historinë e futjes së saj në biznesin e ndërtimit si ortake, pa pasur as kapital dhe as njohuri në fushën e ndërtimit. Ne ende nuk dimë cilat janë asetet e Gridës që kanë detyruar një biznesmen ta bëj ortake në biznesin e ndërtimit dhe që në fund e çoi drejt dyerve të burgut.  Për më tepër një biznesmene ndërtimi e akuzuar për mashtrim, tani kërkon të bëhet kryetare bashkie, duke u lavdëruar me biografinë e saj si ndërtuese mashtruese.

Po ashtu nëse ka dëshirë të jetë transparente zonja Duma mund të flas se si u përfshi në një operacion financiar me një bankë tjetër për të shlyer problemin e mashtrimit me kompaninë e saj, çfarë pasurish ka vënë si barrë hipotekore dhe nëse është nën hetim për këtë çështje apo jo.

Fakti që është vetshpallur akademike, nuk e bën të pafajshme. Edhe Xhelal Mziu është vetshpallur akademik, bile dhe Doktor Shkencash, por është në një listë me zonjën Duma, si i dënuar nga drejtësia.

Zonja Duma nuk  ka problem me Partinë Socialiste, por me drejtësinë. Nuk e ka çuar në prokurori dhe gjykatë PS, por ish ortak të saj, të cilëve u ka hyrë në pjesë në bizneset e tyre familjare dhe tani është duke pastruar historitë e saj. Kur të mbaroj të na njoftoj, por deri atëherë bën mirë të hesht!


Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)