Balli Kombëtar: Jo rroftë Rusija e 
Komunizmi, por "Rroftë Shqipërija!"

Balli Kombëtar: Jo rroftë Rusija e <br />Komunizmi, por
Kush e nisi luftën vëllavrasëse, partia Komuniste Shqiptare apo Balli Kombëtar? Pjesa e dytë: Në pritje të një Mukje 2, shtatëmbëdhjetë ditët që, mbajtën pezull frymën e shqiptarëve....
 
 ******
Në 7 tetor 1943, pak orë më parë apo më pas përpara çastit të hartimit dhe dërgimit të dy qarkoreve të Mit’hat Frashërit për pezullimin e luftimeve të Ballit Kombëtar ndaj gjermanëve dhe për për t’iu përgjigjur me armë partizanëve në rast të një sulmi ndaj tyre, kjo organizatë pati bërë publik një trakt. Ai niste me fjalët “Partia Komuniste ka ca ditë që na nxori edhe një gazetë tjetër "Bashkimi", fotografi e gjallë e rivistës së riorganizuar "Zëri i Popullit". Ishte e natyrshme, pra, që edhe "Bashkimi" të ndiqte programin e ri: "Luftë të pa prerë Ballit Kombëtar", armikut nr. 1 të Partisë Komuniste”. Dy paragrafë më poshtë ky trakt thoshte: “Po ajo që ne s'kuptojmë dot ësht: pse gjithë kjo luftë nasionalizmit shqiptar? A nuk janë nasionalistat që i kanë ndihmuar komunistat dhe i kanë mbrojtur përherë me rrezik të vetin dhe të fëmijës së tyre? Ku janë strehosur komunistat t'onë të persekutuar nga fashizmi dhe Mustafa Krujë krimineli? Kush i ka ndihmuar materialisht dhe moralisht?” Më pas: “Që në numrin e parë të rivistës së tij kryesore, Balli Kombëtar u ka zgjatur dorën komunistave, duke lajmëruar bishën e tërbuar të Krujës se neve jemi të gjithë vëllezër - nacionalista dhe komunista - dhe kot mundohet Mustafai të ndajë. Dhe kjo dashamirësi, ky qëndrim sa i urtë dhe i sinqertë, ka vazhduar deri sot. Nga ana tjetër komunistat s'kanë lenë në asnjë trakt të tyren pa u hedhur shigjeta nasionalistëve.

Neve i kemi këshilluar se si të përmirësonin veprimtarin'e tyre, kaq e kaq antarë t'onë u thoshnin komunistave që në traktet - sidomos n'ata të parët - të mos thoshin 10 herë më parë "Rroftë Rusija, Komunizmi, Timoshenkua, krahinat e lulëzuara të Ukrainës, etj. etj." dhe pastaj më në fund, ashtu si për të bërë qejfin, "Rroftë Shqipërija!" Jemi neve ata që u thoshnim që s'ka lezet të qajnë aq tepër tokën e bekuar ruse, kurse s'kishin derdhur asnjë lot për krahinat t'ona të begatëshme të Korçës e të Gjirokastrës që i shkretoi furtuna e luftës së pa dashur dhe të pa provokuar nga Shqiptari”. Pak më tej, në vijim: “Neve po luftojmë; e kemi thënë gjithmonë, përbri Aleatëve t'onë të mëdhenj, dhe kemi admirimin më të madh për ushtrinë kombëtare ruse, gëzohemi shumë që u shlirua Smolensku, por si do që të jetë, Atdheu ësht Atdhe dhe aleati aleat”. Trakti i Ballit i 7 tetorit njëkohësisht ngulte këmbë “po u themi se jemi kundra çdo diktature, e çfardo ngjyre qoftë. Diktatura staliniane mund të jetë shum e frytëshme për popullin rus, gjë që u provua, por jo për popullin shqiptar...” Në një fragment tjetër të tij udhëheqja e Ballit shtonte se “S'jemi neve ata që mbas aq e aq zhurmësh mbasi u hoqën sëpatat nga flamuri i ynë, i zëvëndësuan me yll të kuq…”

Në këtë trakt pothuaj paralel me dy direktivat e Mit’hat Frashërit shkruhet edhe fraza: ”Si duket puna, po pregatitet opinioni publik për vëllavrasje”. Pas këtyre nëntë fjalëve që bien si kambana morti, në trakt arsyetohet kështu: “Duhet të ndriçohen pra të gjithë Shqiptarët, të mësojnë se cilët janë shkaqet që na ndajnë dhe kështu të dijmë se cilin të akuzojnë nesër për vëllavrasje”. Kjo gjë, denoncimi i shkaktarit si puna e parë ato çaste për Ballin Kombëtar,  do të thotë se edhe vetë njëkohshëm po bënin të njëjtin veprim si edhe komunistët: përgatitjen e opinionit publik për të mos mbajtur asnjë faj për çfarë kobi do të ndodhte. Ndërkohë hataja e ndeshjes së armatosur ndërcivile kishte ngjarë në një afat shumë të ngushtë kohe. Prej 1 tetorit me direktivën e Enver Hoxhës deri në 7 tetor me dy qarkoret e Mit’hat Frashërit nuk qenë më shumë se 120 orë.
 
Në emër të cilit rregull e disipinë e brendshme foli Mit’hat Frashëri”?
Një apo shtatë tetori 1943 e shpërtheu zyrtarisht vëllavrasjen apo të dyja bashkë duke nxitur dhe mbështetur njëra-tjetrën, është një problem që nuk kapërcehet me sipërkalim të rrethanave. Më së pari, që të ekzistojë një luftë ndërqytetare duhet patjetër që të ketë dy palë dhe ato të përgjaken realisht. Në rast se njëra prej tyre do të shmangej, duke kryer qoftë edhe rezistencë pasive, vepra kriminale në përgjegjësi të nismëtarit do të kishte, por vëllavrasje jo. Dy direktivat e Mit’hat Frashërit në 7 tetor provonin se BK kishte zgjedhur rrugën e përplasjes së përballtë plumb me plumb. Ndërkaq edhe po të bihet dakord masivisht që fitilin e vëllavrasjes e ndezën në 1 tetor njerëzit e PKSH-së përse qe e nevojshme që Balli Kombëtar të përgjigjej me ato që shkroi dhe shpërndau për veprim në më pak se një javë më pas? Përse direktiva e parë e Mit’hat Frashërit urdhëron si të parën gjë pezullimin e veprimeve luftarake kundër gjermanëve? Përse këtë gjë e kërkon në emër të idesë “Me qenë se vendi ynë sot ka nevojë ma të ngutshme për rregull dhe disiplinë”? Për çfarë rregulli e ka fjalën ai dhe për cilën disiplinë flet? Në rrethana porsapushtimi kjo do të thotë të rrish sus, t’i nënshtrohesh agresorit. Të gjitha shpalljet e gjermanëve nëpër rrugët e qyteteve të Shqipërisë si edhe thirrjet e tyre për popullin, në fillim të tetorit 1943 flasin për nevojën që të ketë rregull dhe disiplinë. Kush i thyente ato ndëshkohej rëndë.

Sigurisht frazeologjinë e mospranimit të gjendjes së anarkisë dhe të kaosit Balli Kombëtar e kishte formuluar para se të vinin nazistët, që kur pushtues të vendit qenë italianët. Me këtë argument ata sulmonin Partinë Komuniste dhe mënyrën e saj të luftës së armatosur, ku, sipas tyre, atentatet nëpër qytete apo betejat në çdo terren tjetër Lëvizja Nacionalçlirimtare i kryente pa u merakosur për pasojat që ato sillnin mbi popullsinë civile. BK kishte platformën e vet të mosderdhjes së kotë të gjakut dhe të kryerjes së veprimit ushtarak në vendin dhe momentin që shkaktonte sa më pak dëme në jetën dhe pasurinë e shqiptarëve. Po përse këtë herë, më 7 tetor 1943, Mit’hat Frashëri kujton se për ta realizuar këtë kursim gjaku kombëtar, duhet ndërprerë plotësisht lufta ndaj gjermanëve? Gjak do të derdhej njëlloj prej komunistëve, të cilët në aleancë me anglo-amerikano-sovjetikët, zbatonin platformën e tyre të goditjes pandërprerje, kudo dhe kurdoherë, të gjermanëve. Përse prijësi i padiskutueshëm i Ballit Kombëtar nuk bëri kujdes t’i shmangej kësaj terminologjie “disipline” dhe “rregulli” dhe të gjente një arsye (apo justifikim) tjetër për ndërprerjen e përkohshme të luftimeve kundër nazistëve? Të mos harrojmë se ajo që ai kreu në 7 tetor, pezullimi i veprimeve të armatosura kundër Gjermanisë hitleriane, edhe shkakun më të arsyeshëm të kishte, qe një gjest i qartë shkëputjeje apo distancimi të plotë prej aleancës antifashiste anglo-amerikane (dhe sovjetike).

Sigurisht dy ngjarje të rëndësishme historike mund t’i ndajnë jo vetëm 120 orë, por edhe një dyzinë minutat. Në 1 tetor PKSH firmosi autorësinë për fillimin pa kthim të luftës vëllavrasëse ndaj rivalëve politikë. Në 7 tetor Balli Kombëtar hodhi firmën e qartë të përgjegjësisë historike të mënjanimit prej bllokut antifashist. Ndërkohë autori i këtyre radhëve mendon se 7 tetori 1943 qe edhe dita e shpalljes të BK për bashkëpunim antikomunist me pushtuesit gjermanë.
 
Tension propagandistik dhe luftë psikologjike
Ballistët në traktin e menjëhershëm paralel dy qarkoreve të Mit’hat Frashërit shkruanin edhe këto fjalë: “S'jemi neve provokatorët, bile me atë farë soj pasiviteti t'onë u keq kuptuam. Na pandehën të dobët, të frikshëm. Po s'ësht ashtu. Në se kemi heshtur, në se nuk jemi përgjigjur, shkaku ësht se nuk na pëlqen grindja. Dhe shkaku i shkaqeve ësht se neve nuk duam të vërtetohet ajo që na ka ngjethur mishtë e na ka ngrirë gjakun: v ë ll a v r a s j a !
Po, o vëllezër të gabuar - dëgjoni? Ju themi akoma vëllezër - ejani në vehte. Kujtohuni se jemi të gjithë Shqiptarë dhe kemi të gjithë një hall. Duam të gjithë një Shqipëri të vërtetë, të lirë dhe demokratike; ku bujku dhe beu të kenë një soj të drejtë, ku patroni dhe shërbëtori i tij të jenë baras përpara ligjit. Pse të grindemi? Pse të dehemi nga ideologjitë e pa asimiluara. Këto hesape i gjejmë më vonë. Ejani të bashkohemi, të gjejmë dhe të kuptojmë njeri tjetrin. Flasim të gjithë, bashkë me Kosovarët, shqip. Kemi të gjithë një Atdhe. Sot për sot të përpiqemi të zbërthejmë problemin numur 1: të ekzistencës së Shqipërisë.

Ndryshe kënaqim armiqtë dhe lumi që na mori!”
Në 11 tetor nacionalistët shpërndanë traktin “Partia Komuniste në luftë me Ballin Kombëtar”. Gjuha qe shumë e ashpër, dyermbyllëse për ndonjë mirëkuptim. Një fragment prej tij: “Ne nuk begendisim t'i krahasojmë kurrësesi me aventurjerë kamaleonta, pleshta akrobatë si doktor Ymer Nishani, si spiuni tradhëtar Myqerem Hamzaraj si avokat Sulo Bogdua, që kanë qenë gjithënjë në shërbim të Kuesturës së Romës e të Barit, (a po jo vallë, Zoti doktor Ymer Nishani, drejtor i gazetës "Liria Kombëtare"? Ç'thua zotrote? Në se s'ke ndonjë gjë për të thënë, t'a themi ne: kësaj pune i thonë "bir Selman i nënës, ç'të të qaj më parë !"); si këshillëtari fashist, pioner i sotmë i komunizmit në Berat Pasho Bej Hysi Vërzhezha, që priti sa u-mbyll Dhoma Fashiste gjer sa mori rrogën e fundit për të ndërruar me një herë shënjat e liktorit me yllin sovietik. Jo, Isa Manastirlinë dhe Hamit Matjanin që kanë gjetur rrugën e drejtë, nuk munt t'i krahasojmë kurrë me një vagabondë hypokrit si profesor Myrteza Krasta që ka derdhur aq lotë për ushtarët e Duçes së thyer nga Grekërit, dhe që hyri në Partinë Komuniste sepse "Balli" ia mbylli dyert. Partia Komuniste ka si kryetar të Shtabit Spiro Mojsinë. Për ata që s'e dinë, po iu themi ne se, ky zambak i kuq ka qënë komandant i burgjevet në Fier gjatë shtypjes së lëvizjes më 1935. Gjithë bota revolucionare e atëherëshme e di se në ç'mënyrë është sjellur Spirua gjatë atij shërbimi. Ay ka qënë xhelati i burgjeve që kanë bërë torturat morale e trupore më të tmerrëshme. Ka qënë Spirua ai që hapte në mëngjes herët dyert e birucavet ku ishin hedhur si shtazë të dënuarit me vdekje që pritnin nga një minutë në tjetrën t'i shpinin në litar. A po jo o Mustafa Gjinishi, o Mustafa Kaçaçi edhe ti o Namik Cakrani? Spirua ka qenë ay o Xhelal Staravecka që të shtërngonte or' e çast zinxhirat aq shumë sa të qenë anjtur duar e këmbët: E pra ay Spiro, xhelat i të martirizuarvet të Fierit, sot paradon me juve, në krye të brigatëvet që do t' i japin liri popullit. O ironi e fatit!!!”

Megjithatë një gjuhë e arsyeshme, por edhe mjaft e dhimbshme, do të rigjallërohet më 12 tetor, në një trakt të Rinisë së Ballit Kombëtar. Ai komunikoi këtë mesazh tronditës: “Rinija nasionaliste, në këto çaste tragjike dhe vendimtare për Kombin t'onë, po u drejtohet juve të rinjve komunista dhe ju fton për të çkoqitur disa mosmarrveshje që janë çfaqur dhe vazhdojnë të çfaqen në një mënyrë të rrëmbyer. Tensioni i nervozizmit në mes t'onë ka arrijtur kulmin. Nukë ka ditë që të mos konstatohen fyerje reciproke. Marrëveshja e Mukajt u prish!? Lidhja që u bë në prendverën e kaluar në mes t'instituteve shkollorë nuk ekziston fare!? Menjëfjalë nuk ka asnjë bashkëpunim! Ne jua kemi thënë haptaz gjithmonë, se nuk bëjmë luftë ideologjike dhe se nuk jemi një parti, por jemi lidhur me një organizatë e cila lufton vetëm për shpëtimin e Atdheut. 

RINI KOMUNISTE! Që të gjithë jemi bijtë e këtij vëndi dhe si të tillë e kemi për detyrë të përpiqemi për t'a shpëtuar. Nuk është e drejtë ta shohësh nasionalistin si një armik, bile siç thonë disa prej jush, si armikun numër 1.

RINI KOMUNISTE! Sot po ju njoftojmë ju të gjithëve të rinjëve komunista se mosmarrëveshja e jonë ka filluar të shkatojë vëllavrasjen e njëkohësisht po kënaq okupatorin gjerman, i cili duke përfituar nga kjo grindje do të shtojë ditët e qëndrimit të tij n'Atdheun t'onë. Ejani, o të të rinj komunista, të bëjmë një blok të vetëm, të bëjmë një roje të përbashkët qoftë në katund, qoftë në qytet. Ejani t'i bashkojmë forcat. Të heqim dorë nga grindjet që të mos mundi të na thyejë asnjë armik. Kërkoni marrëveshjen e Mukajt që ësht shprehja më ideale e bashkimit të popullit Shqiptar: atë marrveshje që kemi dëshiruar të gjithë ne të rinjtë dhe që shtytja dhe këmbëngulja e jonë e shpejtoi! Shpejtohuni, sepse siç po shihet, këtu do të ndodhin gjëra të tmerrëshme dhe tragjike!”
Gjesti afrues dhe miqësues i rinisë së Ballit Kombëtar, kjo thirrje dukshëm e sinqertë në kurorën e ngjarjeve të ditëve të tetorit 1943 përbën një diamant. Për fat të keq do të mbeste përpjekje e pafat, mbase jo vetëm sepse qe shpërndarë në një ditë të martë. Ndërkohë Enver Hoxha shkonte vendosmërisht në rrugën e paracaktuar të përplasjes me armë. Në 14 tetor i nisi një letër Nako Spirut. Një fragment i saj thoshte: “Balli Kombëtar me të vërtetë ka filluar fushatën kundër nesh. Kjo fushatë, sipas mendimit tim, është një fushatë sistematike dhe tipike fashisto-naziste”. Pastaj ngulte këmbë se në qëndrimin ndaj tyre tashmë gjithçka kishte ndryshuar: ”Jo, s’duhet të jetë polemikë, por luftë tamam, sikundër u bëhet agjentëve të Gestapos”. 
 
“Po kush e ka fajin?”
Në 18 tetor 1943, pasi e goditën Asamblenë Kushtetuese njëherësh me top e me trakt dhe me këtë rast rishpallën qëndrimin e tyre refuzues ndaj çdo forme bashkëpunimi me gjermanët, Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe udhëheqja e saj politike PKSH, do të kishin tash e tutje një rast të shkëlqyer për të futur në një thes individët kuislingë me vetë organizatën e Ballit Kombëtar. Por dy ditë më tej, në 20 tetor, Balli Kombëtar shpërndau traktin “Thirrje Nacional-Çlirimtares”. Qe firmosur prej vetë Mit’hat Frashërit, me shënim të vendit dërgues: “Prej maleve të Shqipërisë së Lirë”. Trakti niste kështu: “Armët qi dikuër i muerëm në dorë dhe qi deri dje i përdorëm kaq bukur kundër anmikut, fatkeqësisht, sot i kemi të kthyeme njani kundra tjetrit. Tani qi na erdhi Gjermani, në vend qi t'ishim të bashkuem ma shumë se kurr për me luftue ushtrinë e tijë, qi asht shum ma e fortë dhe shum ma e egër se ajo e Italis, na ndodhemi të përçamë dhe, çka asht ma zi, në luftë civile!

Po kush e ka fajin?”
E vijon tekstin dhe arsyetimin e tij Mit’hat Frashëri: “Balli Kombëtar që në fillim të krijimit të tij ka konsiderue si nji parim të shejtë mos derdhjen e asnji pike gjaku Shqiptar prej dore Shqiptare. Balli Kombëtar e ka konsiderue vehten e tij si ajo Nana qi kap kordhën e Profetit Salomon për me shpëtue foshnjën e saj. Prova qi Balli Kombëtar e ka dashun dhe predikue Bashkimin asht Lidhja e Mukajt dhe thirrja e vazhdueshme dhe e njimbasnjishme që ai ka bamun për me respektue atë Lidhje. Mjerisht Nacional-Çlirimtarja nuk ka dashë t'u përgjigjet ndjenjave t'ona, dhe sot realiteti i hidhun, i dhimbshëm, i mynxyrshëm asht se vlla-vrasja jo ka me fillue, vlla-vrasja jo po fillon, porse
VLLAVRASJA KA FILLUE!
VLLAVRASJA KA FILLUE!
VLLAVRASJA KA FILLUE!
Në Vlonë, në Myzeqe, në Mallakastër, në Berat, n'Elbasan, në Korçë e në Dibër, Shqiptari po vret Shqiptarin. Në këtë luftë të tmerrshme vllavrasëse të vramit janë shum ma tepër se sa në luftat kundra anmiqëve”.

Kushtron më tej trakti i Mit’hat Frashërit: “Na të Ballit Kombëtar besojmë me kambëngulje se ka ende kohë për me u marrë vesh përsëri dhe për këte arsye po ftojm botnisht Nacional Çlirimtaren me na dërgue përfaqësuesit e sajë mbrenda 15 (pesmbëdhjetë) ditve nga data e sotme, ose me na thirrë mbrenda po këtij afati për me shqyrtuë me gjakftoftësi dhe Shqiptarisht hallet e Atdheut t'onë të shum vuejtun.

Kjo asht thirrja e fundit qi Balli Kombëtar i ban Nacional-Çlirimtares. Njëkohësisht ftohet mbarë populli qi të na ndihmojë tue bamë çmos qi kjo thirrje të mos mbetet pa përgjigje”.
 
Ballistët i ulin grykët e pushkëve ndaj partizanëve, Enver Hoxha riurdhëron: Bjeruni!
Në 20 tetor 1943 shumica e shqiptarëve, po t’i dinin çfarë bënin veç e veç të dy palët, nuk kishin përse të mos qenë dakord me thirrjen e Mit’hat Frashërit, autorit dy javë më parë të dy direktivave për pranim lufte vëllavrasëse me Frontin Nacionalçlirimtar. I biri i kombëtaristit të madh Abdyl Frashëri qe tërhequr, kishte hapur udhë ribisedimesh dhe mundësisë së ribashkimit të nacionalistëve me komunistët. Kjo donte të thoshte se Balli Kombëtar jo vetëm në parim, po edhe realisht qe për luftë kundër gjermanëve.

Por PKSH në takimin e pas pesëmbëdhjetë ditëve nuk u paraqit. Në vend të saj dyzetë e tetë orë më parë nga përfundimi i afatit të ofruar, në 3 nëntor 1943, në një letër drejtuar “Komiteteve Qarkore të Partisë Komuniste Shqiptare” “Byro e Komitetit Qendror të PKSH” në kapitullin “Me Ballin Kombëtar” Enver Hoxha jepte këtë direktivë: “Balli Kombëtar, çerdhja e reaksionit, duhet luftuar pa mëshirë” dhe “Po përsa i përket bashkimit ose bashkëpunimit me reaksionin ose me Ballin Kombëtar si organizatë, çështja nuk shtrohet më, por shtrohet çështja se si t’i luftojmë ata”.

Në pesë nëntor, kur u shpall kabineti Mitrovica dhe skadoi afati i pesëmbëdhjetë ditëshit të pritjes së një përgjigjeje nga PKSH, në Ditarin e Ëermachtit mbetet e shkruar se: “Në Shqipëri ka dy grupe banditësh: komunistët që janë të lidhur me Titon dhe kombëtarët që nuk duan të njollosen nga lidhja me gjermanët”. (Për këtë ngjarje “Historia e Shqipërisë”, pjesa III, 1984, do të shkruante: “Më 5 nëntor Regjenca tradhtare emëroi  qeverinë kuislinge me kryetar fashistin Rexhep Mitrovica. Si në Regjencë ashtu edhe në qeveri u futën përfaqësues të Ballit Kombëtar, ndër të cilët anëtarët e Komitetit Qendror të tij Lef Nosi, Bahri Omari, Kolë Tromara etj etj. Veç kësaj edhe shumica e prefektëve të rinj u emëruan nga radhët e ballistëve. Në të njëjtën kohë udhëheqja e Ballit Kombëtar u dërgoi urdhër të posaçëm të gjitha organizatave të saj vartëse të mos bënin “asnjë operacion luftarak kundër forcave gjermane”, por të zhvillonin luftë vetëm kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare”.

Në këtë tekst të fundit përveç pasaktësive të tjera bie në sy një manipulim tepër i qëllimtë: dy urdhëresat e Mit’hat Frashërit të 7 tetorit 1943 zhvendosen një muaj më pas dhe përmbajtja e tyre falsifikohet. Në pamje të parë një lojë e tillë duket pa ndonjë përfitim politik, sepse kështu historiografia zyrtare e kohës humbiste një provë të fortë kundër Ballit Kombëtar: hershmërinë e tij në vendimin për të pezulluar luftimet kundër gjermanëve. Por duket se hartuesit e librit me tirazh masiv “Historia e Shqipërisë” ndihen më të fituar po qe se çfarë urdhëroi Mit’hat Frashëri në fillim të tetorit ta vendosin në atë ditë të nëntorit kur u ngrit kabineti Mitrovica. Me këtë rast montonin lehtësisht akuzën e tyre se kjo nuk qe vetëm një qeveri e disa kuislingëve të paangazhuar nëpër parti politike, por më së pari qeveri kolaboracioniste e Ballit Kombëtar me gjermanët).
 
“Larja e duarve” para historisë nuk është e lehtë
Pasi pritën edhe dyzetë e tetë orë të tjera nga përfundimi i pesëmbëdhjetë ditëshit, Balli Kombëtar, nën shënimin e parullës së tij kryesore “Vdekje e tradhëtarëve! Liri e Shqiptarëve!”, bëri publik një vendim të vet. Ai komunikonte: "Sot me 7 nëntor 1943 me pikëllim dhe me hidhërim të madh Komiteti Qendror i Ballit Kombëtar, aprovoi me pikëllim luftën civile, tue mos ba asnjë ritiratë më, përpara provokacioneve, pse këto ritirata u konsideruan frikë e dobësi dhe sollën këto ditë të zeza të Kombit tonë. Shtojmë se para këtij aprovimi fatëkeq, Balli bëri një thirrje të fundit, 15 ditë afat, ku lutet për marrëveshje, por më kot".

Do të kapërcenin edhe shtatëmbëdhjetë ditë të tjera të atij nëntori në 1943, muaj që mbante bashkë ditën e pavarësimit të Shqipërisë, atë të themelimit të PKSH-së dhe sipas pohimeve të krerëve të Ballit Kombëtar edhe kohën kur u bë publike krijimi i kësaj organizate, për t’u nisur nga lart poshtë lënda e shkruar me titullin “Spjegim sqartusues i qarkoreve të Mid’hat Frashërit”. Ishte 20 nëntor. Në fund të saj, pasi më sipër paraqiste të gjitha provat e veta se kishte bërë çmos ta pengonte shpërthimin e luftës vëllavrasëse, rrinte edhe ky pirg me fjalë: “Shkurt: Balli i ka la duert e veta në këtë çështje dhe fjalën e fundit ka me e thanë populli Shqyptar, i cili asht sot me Ballin, dhe ma tepër se kurrë në historinë e vet, ai është sot nacionalist dhe vetëm Nacionalist”.
“Larja e duarve” është një formë shprehjeje që lë pas dyshimin se deri ato çaste çdo përpjekje qe bërë thjesht për të mos mbajtur mbi vete asnjë përgjegjësi. Kështu përforcohet mendimi se që në fillimet e veta personalisht Mit’hat Frashëri nuk e ka pasur në dëshirë një marrëveshje me PKSH-në. Dihet që drejtuesi tjetër i rëndësishëm i Ballit, Hasan Dosti, në kujtimet e tij pati shkruar “Komunistët kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur dhe me insistim bashkimin ose bashkëpunimin me forcat e BK, por ky i fundit i ka refuzuar duke zbatuar politikën e Mithat Frashërit”. Po ashtu Enver Hoxha në fjalimin e tij “Vija politike”, të mbajtur në Berat, më 23 nëntor 1944, në plenumin e dytë, do të pranonte se “Mukjen ne e morëm për një gjë formale, ku do të venim më tepër t’i thonim katër të vërtetat në fytyrë Ballit dhe të lanim duart përpara popullit për veprimet që do të bënim më vonë”.
Siç e shihni të dy palët, komunistët që e nisën dhe nacionalistët që më pas, sidomos kur qenë me trupa luftarake në mbështetje të nazigjermanëve, e kryen vëllavrasjen me pasion, më së pari kanë dashur “të lajnë duart” nga përgjegjësia.  
  
Tiranë, më 22 maj 2017
 
 partizanet
(Në foto: Partizanët parakalojnë në çlirimin e Tiranës)

ballistet
(Njësi të armatosura balliste)
mithat frasheri
(Mithat Frashëri)
 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore