Kampionët e Kosovës, Ballkani është me një këmbë në turin e tretë të Conference League. Të besuarit e Ilir Dajës fituan 3-0 kundër irlandezo-veriorëve të Larne në "Fadil Vokrri", duke dominuar kundërshtarin.
Përballja u hap në minutën e 26-të me golin e Rrahmanit nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa vetëm shtatë minuta më vonë ishte Kryeziu i sapofutur që dërgoi shifrat në 2-0.
Fraksioni i parë i lojës u mbyll me këtë rezultat, ndërsa në minutën e 67 Gripshi hodhi në "tapet" kundërshtarët me golin e tretë, pas asistit të Rrahmanit. Dukshëm Ballkani ishte më lart në lojë se kampionët e Irlandës së Veriut. Pas një jave Ballkani do përballet në transfertë për ndeshjen e kthimit, aty ku do vendoset edhe fati i kualifikimit. Në rast kalimi më tej, Ballkani do ketë përballë Lincoln Red, skuadrën nga Gjibraltari.