'Ballkani i Hapur', ministrja Gërvalla: Ide e rrezikshme për Kosovën

'Ballkani i Hapur', ministrja Gërvalla: Ide e rrezikshme për Kosovën

Donika Gërvalla

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë të premten në Shkup se iniciativa Ballkani i Hapur, për Kosovën paraqet ide të rrezikshme.

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të mini-Shengenit, e që nga dita e djeshme, Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët, si rajon, drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë Gërvalla, në një konferencë të përbashkët me homologun e saj në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani.Ne kemi një proces të përbashkët rajonal ku jemi të gjitha vendet e rajonit dhe ky proces quhet Proces i Berlinit, në kuadër të të cilit për disa vite synojmë të shtyjmë përpara marrëveshjet që prekin të gjithë qytetarët. Në këtë iniciativë, Republika e Kosovës është shtet i barbartë me pesë shtetet tjera të Ballkanit”, tha Gërvalla.

Procesi i Berlinit, iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka filluar në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal. Shkup, 29 korrik 2021.

Sipas Gërvallës, iniciativa në fjalë vë në pikëpyetje edhe qëllimet gjeostrategjike që ka rajoni.

“Kjo iniciativë e quajtur më parë mini-Shengen dhe tani Ballkan i Hapur, vë në pikëpyetje përcaktimet gjeostrategjike që ka rajoni ynë, sepse në rajonin tonë jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin përcaktim gjeostrategjik” ka theksuar ajo.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar të enjten edhe vendet tjera në rajon që t'i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”.

Në takimin e tre liderëve të rajonit nuk ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit evropian dhe jo nismave që, sipas tij, janë të dëmshme për shqiptarët.

Ideja e "mini-Shengenit" Ballkanik, është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë