SERBI - Prej disa ditësh Ballkani është mbërthyer nga temperaturat nën zero të cilat janë më të ulëta se mesatarja e stinës. Veçanërisht në Serbi moti i acartë shkaktoi izolimin e mijëra njerëzve në disa qarqe të vendit. Autoritet vendase kanë deklaruar gjendje të jashtëzakonshme në ato zona ku trashësia e dëborës arriti deri në 50 centimetra një nivel që nuk shihet prej vitesh.

Rrugët janë të pakalueshme për shkak të dëborës dhe ushtria ka përdorur mjete të rënda për t’i ardhur në ndihmë personave në izolim, pasi u kanë mbaruar furnizimet me ushqime dhe ilaçe.

Zyrtarët vendas raportojnë se moti i i keq shkaktoi vdekjen e dy personave dhe qindra të tjerë kanë mbetur të bllokuar në makina në zonën përreth Vojvodinës. Meteorologët bëjnë me dije se një tjetër masë ajrore e ftohtë nga Siberia do të përfshijë rajonin e Ballkanit për të paktën një javë dhe se nesër temperatura do të arrijë deri në -10 gradë celsius.

(eç/lç/shqiptarja.com)