Ballsh, 28 qershor/ATSH-Rr.Isufaj/- Drejtoria Rajonale e Shërbimit Pyjor ne Fier, në bashkëpunim me Drejtorinë Pyjore të rrethit te Mallakastres, organizuan në komunën Hekal  një takim të përbashkët  për të prezantuar politikat e zhvillimit të pyjeve dhe kullotave. Sipas drejtorit rajonal, Agim Hoxha, përzgjedhja e kësaj komune për takimin prezantues nuk ishte rastësi. Hekali është një nga shëmbujt më pozitiv për ruajtjen, administrimin dhe mirëmenaxhimin e sipërfaqeve pyjore. Ai theksoi se ka ardhur momenti që ti thuhet "stop" me gjuhën e ligjit  fenomenit të ndërhyrjeve, tjetërsimit dhe shkatërrimit të fondit të pyjeve dhe kullotave, pasi janë pasuri kombëtare e patjetërsueshme, pavarësisht subjektit administrues.
Hoxha tha se "pavarësisht ndërhyrjeve, tjetërsimeve dhe masakrës që është kryer në sipërfaqet e pyjeve dhe kullotave në këto 25 vjet, ne nuk do të legalizojmë  në asnjë cast dhe për asnjë arsye këtë "katrahurë". Sipas tij, qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për ruajtjen e pyjeve dhe kullotave dhe ka hartuar politika të qarta për zhvillimin e tyre. "Pyjet  dhe kullotat janë pasuri kombëtare, pavarësisht subjektit që i administron", tha ai, duke shtuar se drejtoria ka ngritur grupet e punës dhe çdo ngastër e ka dorëzuar me proces-verbal. Ajo ka bashkëpunuar ngushtë me njësitë vendore, policinë e shtetit dhe repartet zjarrfikëse, duke krijuar për herë të parë  një "ansambël institucional" për mbrojtjen e pyjeve.
Drejtori i shërbimit pyjor të Mallakastrës,  Ismail Metaj, pasi bëri një pasqyrë të  gjendjes së fondit pyjor,  u ndal te rastet e dëmtimeve dhe investimeve, duke e bërë më të prekshme këtë temë sensibilizuese. Ai përmendi një sërë rastesh të cilat janë bërë objekt hetimi nga organi i Prokurorisë. Në takim u sollën edhe shëmbuj pozitiv, ku sipërfaqet pyjore të mara me qera janë përmirësuar. /a.ke/