Në interpelancën me Ferit Hoxhën, deputeti Erald Kapri i kërkoi të mbante qëndrim si ministër dhe mos të fliste si ambasador. Konkretisht, Kapri pyeti nëse do të mbrohet sërish imuniteti i Belinda Ballukut nëse kërkohet sërish heqja e imunitetit të saj pas akuzave të reja nga SPAK, duke i shtuar pyetjet për protestën për Zvërnecin dhe afatin se kur do të shfuqizohet ligji për investimet strategjike.

Hoxha tha se kjo nuk lidhet me kërkesën e shprehur në letër për zhvillimin e interpelancës që ka si objekt Planin e Rritjes.

“Nuk e mora vesh për çfarë më kanë thirrur sepse në letër ishte për Planin e Rritjes dhe kam ardhur për të folur për Planin e Rritjes. Asgjë nga ato që dëgjova këtu s’ka lidhje me politikën e jashtme. Nuk e kuptova çfarë pyetjeje kishit për Ministrinë e Jashtme sepse ajo nuk merret me pronat, ka institucione të veçanta. Asnjë nga ato pyetje s’ka të bëjë me ministrinë përveç IBAR”, tha Hoxha.

Ndërsa mori fjalën, Kapri insistoi sërish te pyetjet e tij duke thënë se s’mori asnjë përgjigje konkrete prej ministrit.

“Unë jam i zgjedhur këtu, ju jeni i emëruar dhe tonin politik s’mund ta shtroni ju. Nuk dhe asnjë përgjigje konkrete. Nuk mund të rrini më nën petkun e ambasadorit, por të mbani qëndrim. Kur do e shfuqizoni ligjin për investitorët strategjikë? Si mund të thoni që s’ka lidhje me temën imuniteti i Ballukut? Kush janë agjenturat e huaja që kanë nxitur protestën e të rinjve shqiptarë?”, tha Kapri.

Lidhur me Ballukun, Hoxha u përgjigj se në Bruksel nuk flitet me emra për sa kohë një proces është nën hetim, në zbatim të parimit të prezumimit të pafajësisë.

“Iniciativat ligjore kanë rrugën e tyre. Të gjithë e duan Shqipërinë në Evropë dhe ky është misioni im. Në Bruksel nuk flitet kurrë për asnjë proces ligjor, gjyqësor në vijim. Asnjë emër i përveçëm nuk përmendet në takime për sa kohë procesi është në hetim, në vijim. Nuk flitet për emër të përveçëm pasi për këdo, pa një vendim të formës së prerë çdokush konsiderohet i pafajshëm. Kështu flitet në Europë”, tha Hoxha.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- ‘Zvërneci’ në Kuvend/ Berisha sulmon protestën: Ka mjeranë anti-opozitë! Balla i kujton lidhjet me Artur Shehun: Ke shkuar në Vlorë me makinën e tij