Demokratët mezi e prisnin prezantimin e projekt-buxhetit për Ministrinë e Belinda Ballukut, zv.kryeministrja që është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK.
Madje në Komisionin për Burimet Natyrore dhe Infrastrukturën kishin dërguar përforcime për tu përballur me të, Gazment Bardhin dhe Klevis Balliun të cilët do t’i kërkonin llogari për Tunelin e Llogarasë, tender për të cilin zv.kryeministrja akuzohet se ka paracaktuar fituesin.
Por mesa duket, Balluku e ka parashikuar këtë skenar dhe në komision dërgoi zv.ministrat e Energjisë dhe Infrastrukturës, gjë që solli irritimin e opozitës. Ata kërkuan ministren në mbledhje, duke e akuzuar se po fshihet dhe se duhej të vinte për të dhënë llogari për Tunelin e Llogarasë.
“Nuk më kontrollon dot fjalën, po të citoj nenin 80 të rregullores. Pr,.buxheti ka procedurë të veçantë si shqyrtohet në Komisione. Rregullohet nga një kapitull i veçantë dhe kërkon prezencën e ministrit përgjegjës. Do duhet të miratojmë në parim buxhetin dhe fondet që do i japim ministrisë përkatëse. Ministrja duhet të vijë këtu dhe të na bindë se s’di duhet ti besojmë menaxhimin e këtij buxheti, kur me fakte dhe prova është kapur që më një projekt janë vjedhur 50 mln euro. Për ju kjo mund të mos jetë as e rëndë dhe as e pazakontë. Ministrja nuk pse fshihet, do duhet të vijë në komision dhe të japë llogari. Ju kërkoj të thërrisni ministren të prezantojë buxhetin. Nëse ka trup të vijë dhe të përballet me Kuvendin është çështje e saj personale, ne e kërkojmë për çështje institucionale. Fshihet si kriminele, si e pandehur, do duhet të japë llogari pavarësisht se është e pandehur”, tha Bardhi.
Debati percipitoi në tone të larta dhe me akuza të ndërsjellta mes palëve, çka detyroi Kryetaren e Komisionit Anila Denaj të ndërpresë mbledhjen.
‘Nëse nuk vihet rregull do ta ndërpresim. Ndërpritet seanca”, tha Denaj.
Seanca nisi sërish, ndërsa zv/ministrat thanë se Balluku nuk është e detyruar të paraqitet në komision.
“Ka angazhim tjetër, ministri s’ka detyrim të ndajë me mua axhendën e vet”, tha Enkelejda Muçaj, zv.ministre.
Më 31 tetor, zv/kryeministrja, njëherësh edhe Ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK për shkelje me tenderin e Llogarasë që kapi vlerën e 190 mln eurove. Kryeministri Rama i ka shmangur komentet dhe reagimet për këtë çështje dhe vetëm 2 ditë më parë u pa në krah të saj në një aktivitet të përbashkët.
Lajmi në përditësim....

Gazment Bardhi
Belinda Balluku nuk u paraqit ditën e sotme në mbledhjen e Komisionit për Burimet Natyrore dhe Infrastrukturën, ku u bë prezantimi i projekt-buxhetit 2026 për ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturën, dhe dërgoi dy zëvendësministrat.
Në një reagimin në rrjetet sociale, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, thotë se ministrja e marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, duhet të largohet menjëherë nga detyra sepse nuk mund të fshihet pafundësisht nga Kuvendi.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Sot të gjithë ministrat, në ushtrim të përgjegjësisë së tyre sipas nenit 80, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, ishin prezent në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare që mbulojnë fushën e tyre të përgjegjësisë.
E vetmja që u fsheh ishte E PANDEHURA Belinda Balluku!
E pandehura Balluku nuk mund të sillet sikur asgjë s'ka ndodhur, vetëm për faktin se ajo e di që Edi Rama është peng i korrupsionit të tij dhe nuk mund ta shkarkojë. E pandehura Balluku duhet të largohet menjëherë nga detyra sepse nuk mund të fshihet pafundësisht nga Kuvendi. Ajo nuk mund të fshihet as pas frikës që ka kapur, kryeministrin, të cilin e ka marrë peng!
Llogaridhënia është baza e qeverisjes demokratike. Çdo aferë korruptive është taksë e fshehur që i vihet qytetarit shqiptar. Është pengesë për zhvillimin e vendit. Shkon kundër mirëqenies. Është një hap më shumë drejt largimit të të rinjve nga Shqipëria.
Komente













O babalet e pd perse ngulni kembe kot. Belinda nuk do qe te vije , pellcisni nuk ja u plotesondeshiren , ju po perkrahni nje kriminel , hajdut , vrases dhe nuk jeni ne gjendje te regulloni shtepin tuaj .PD vodhi sa I deshi qejfi dhe nuk ndrrtoi asgje , te pakten Belinda e ndertoi , tynelin .
Përgjigju