Deputeti i partisë Mundësia, Agron Shehaj kritikoi maxhorancën se i ka rrëzuar dy interpelanca, me kryeministrin Edi Rama dhe me Belinda Ballukun. Këtë të fundit e ironizoi teksa tha se i shpëtoi interpelancës në Kuvend, por përfundoi më keq, pasi u mor e pandehur nga SPAK dhe më pas u pezullua nga detyra nga GJKKO.
Ai i cilësoi qesharake arsyetimet e kryeministrit se është bllokuar nisja e fluturimeve me Kanadanë, ndërsa shënjestroi edhe Taulant Ballën për komentet e tij lidhur me çështjen Balluku. Sipas tij, Balla ka frikë që të flasë kundër prokurorëve dhe gjykatësve pasi mund të përfundojë më keq se të tjerët.
"Nuk e di se si do ta zgjidhim këtë problemin e mohimit të të drejtës për interpelancë që si deputet kam. Kam kërkuar në 2 muaj me Ballukun, por tani nuk është më ministre. I shpëtoi interpelancës por përfundoi më keq. Por kam një kërkesë për interpelancë edhe me kryeministrin. E kuptoj se kërkoni të shmangni llogaridhënien por s’i shpëtoni dot. Ju mendonit se kur u arrestua Veliaj ishte një çështje që kishte me të. Tani që është marrë e pandehur Balluku…vërtet mendoni se kemi të bëjmë me çështje të përvetshme të disa individëve. Ky është ndryshim thelbësor. Duhet të jepni llogari dhe nuk keni ça t’i bëni drejtësisë, SPAK se kanë mbrojtjen e ndërkombëtarëve. Dhe këto sulmet qesharake që bëni përditë, Rama çdo ditë kërcënon Gjykatën Kushtetuese me broçkulla se kemi marrë të pandehur Ballukun dhe shqiptarët nuk udhëtojnë dot në Kanada, tani ka filluar ministri i drejtësisë me postime. Del Balla dhe thotë pyesni Chat GPT, nuk ka ndodhur ndonjëherë por prapë unë thotë nuk flas për prokurorët e gjykatësit. S’ia mban atij se ka frikë se përfundon si të tjerët. Nuk e shmangni dot daljen para drejtësisë. E keni të kotë. Ndajeni mendjen. Bashkëpunoni me drejtësinë se iu ka ardhur fundi.", tha Shehaj.
Lajmi kryesor:
Debate në Kuvend për Ballukun! Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë me Ramën: Po i bën presion drejtësisë! PS: Çështja në Kushtetuese











