Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vizitoi Berlinin me ftesë të Bundestag në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me qeverinë federale gjermane, në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. Ministrja Balluku gjatë kësaj vizite takoi deputetin e CDU, Olav Gutting, i cili është dhe anëtar i bordit të KFW, gjithashtu i angazhuar në komisionet parlamentare për ekonominë dhe energjinë.
Çështje të rëndësishme mbi angazhimin e investitorëve gjermanë në Shqipëri si dhe mbështetjen e qeverisë gjermane në projektet infrastrukturore strategjike për vendin, Balluku i diskutoi gjerësisht në takimin me Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës Digitale, z. Andreas Scheuer. Ai tregoi gatishmëri për mbështetje dhe bashkëpunim të mëtejshëm për MIE.
Ministrja Balluku zhvilloi gjithashtu një takim të frytshëm me Ministrin e Ekonomisë dhe Energjisë së qeverise federale gjermane, Peter Altmaier. Gjatë takimit ministrat diskutuan për prioritetet e qeverisë shqiptare në fushën e energjisë dhe Altmaier konfirmoi mbështetjen e qeverisë gjermane në këtë sektor. Ai vuri theksin tek thellimi i reformave energjetike në Shqipëri dhe premtoi inkurajimin e investitorëve gjermane. Ministrja Balluku ftoi për një vizitë zyrtare Ministrin e Ekonomisë dhe Energjisë së qeverisë federale gjermane, z. Altmaier, ftesë e cila u pranua me kënaqësi, për t'u realizuar së shpejti. Të dy ministrat u zotuan për intesifikimin e komunikimit teknik dhe politik mes dy ministrive.